Kryetari i komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, të shtunën më 7 shtator, në Podujevë do të bëhet përurimi i shtatores së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Bulliqi përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook ka thënë se kjo shtatore e cila është financuar me buxhetin e Komunës së Podujevës do të vendoset në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të administratës komunale.
“Me vendosjen e kësaj shtatore ne po nderojmë një nga figurat më të shquara të kombit tonë, Presidentin Ibrahim Rugova, si simbol të qëndresës, urtësisë dhe vizionit për një Kosovë të lirë dhe të pavarur“, ka shkruar Bulliqi.
I pari i kësaj komune ka thënë se në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit Rugova, familjarë të tij dhe qytetarë nga treva e Llapit e gjitha trevat shqiptare.
“Ju mirëpresim në ceremoninë solemne, këtë të shtune më 7 shtator, nga ora 13:00“, shkroi Bulliqi.