Një prej ndeshjeve më spektakolare të këtij sezoni në La Liga është luajtur sonte, në ‘Wanda Metropolitano’.
Atletico Madrid ka fituar ndeshjen kundër Getafe, me rezultatin 4:3, në një thriller që u vendos në minutat e fundit.
Luis Suarez humbi një penallti në minutën e 9’, por vetëm 10 minuta pas tij, Correa i dha epërsinë ‘Rojiblancos’.
Cunha dyfishoi epërsinë e Atletico Madrid në minutën e 27’, para se Mayoral (30’), dhe Unal me dy gola nga penalltia (37’, 42’) të përmbysnin rezultatin në 2:3, përcjell lajmi.net. Megjithatë, Correa shënoi golin e dytë personal dhe çoi skuadrat në pauzë me rezultatin 3:3.
Felipe i Atletico u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 58’ dhe këtu u mendua se përfundoi gjithçka për ‘Rojiblancos’.
Megjithatë, katër zëvendësime të Simeone ndryshuan gjithçka.
Hermoso ia doli të gjente golin në minutën e 89’ për të marrë fitoren dramatike të Atletico Madrid.
Atletico Madrid shkon tashmë në 39 pikë në pozitën e katërt (një ndeshje më shumë sesa Barca), kurse Getafe mbetet me 25 pikë. /Lajmi.net/