Shqiptaro-amerikani Gary Kokalari, i cili ishte angazhuar në lobin shqiptar për Kosovën në periudhën e luftës, tha se shqiptarët nuk duhet t’i gjunjëzohen ShBA-së, por duhet që patjetër ta ruajnë partneritetin.
“Ka dy thënie të vjetra lidhur me këtë; njëra është që asnjë njeri nuk është ishull dhe Kosova nuk është një ishull, nuk shoh ujë që e rrethon Kosovën, kështu që mendoni për këtë, sepse nuk ka ujë, por ka shumë peshkaqenë në formë të serbëve, dhe gjëja e dytë ka diçka që quhet rregulli i artë, që është në bibël që thotë ‘bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty’, por ka edhe një rregull tjetër të artë që është se ai që e ka arin i bën rregullat. Kështu që s’po them se duhet të gjunjëzoheni përpara ShBA-së, por duhet të ruani raportet dhe ShBA-ja ka rol në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Gjëja e fundit që doni është që ata të tërhiqen”, tha Kokalari në Rubikon të Klan Kosovës.
Sipas tij, tërheqja e ShBA-së nga Kosova do të ishte shumë problematike, derisa shtoi se duhet të gjenden mënyra që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë t’i ndihmojnë Kosovës.
“Kjo do të mund të ishte një lagje e rrezikshme. Dhe pavarësisht faktit që serbët flasin se duan të integrohen në BE, po flirtojnë me BE-në, ata mund të jenë duke flirtuar me BE-në, por janë në shtrat me Putinin. Mendoj se duhet të ruani një marrëdhënie, duhet të jeni mendjehapur, mendoj se duhet ta gjeni një mënyrë që ShBA-ja të ju ndihmojë, sepse roli përfundimtar këtu është që kosovarët të sigurohen se nuk ka rrezik të ri nga serbët, të sigurohen se njihen si shtet plotësisht i pavarur, me shpresë për integrim në BE që të mund ta jetojnë jetën e tyre në paqe që të kenë prosperitet dhe të ecin përpara”, tha Kokalari.