Zekerijau ishte shumë i ri kur bashkë me familjen e la Kosovës dhe nisi një jetë të re në Turqi. Arsyet e emigrimit janë krejtësisht politike, pasi familja e Zekerija Shahinit ishte pjesë e luftës çlirimtare të Shaban Polluzhës, një nga ushtarakët e famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duke qenë e përfshirë në luftën kundër komunizmit, familja e tij ishte përndjekur nga regjimi i ri i Josip Broz Titos, ish-liderit të Jugosllavisë socialiste.
Në një rrëfim për Nacionalen, Zekerijau, që vjen nga Drenica, një zonë historikisht kryengritëse, tregon për jetën e vështirë pas burgosjes së babait, të cilin e takoi vetëm dy herë gjatë asaj kohe.
“Babai jem ka luftu atje në Kosovë, ka luftu me Shaban Polluzhën, e ka pasë brigadën e vet. Atëherë e kanë nxanë, ka hy në burg. Babën e kam pa dy herë në burg. Një herë e kam pa me pranga, një herë e pashë kur u kanë i sëmurë. Nuk mujti me dalë prej burgut” – nis rrëfimin e tij emocional Zekerijau.
Gjatë rrëfimit, ai tregon se si ish-regjimi i Titos, që tash fatbardhësisht mund të quhet ancient regime, ia konfiskoi gati krejt pasurinë. Nga një familje e pasur, ajo tashmë ishte shndërruar në familje të varfër e politikisht e diferencuar.
“Krejt pasuria jonë shkoi, Titoja e mori. Babai jem ka vdekur në burg. S’disha ku me nejtë, s’di as ku kam fjet. Erdha këtu në Turqi. Krejt naj kanë marrë, na mbetëm veç me bukë e kryp. Kena pasë pasuri të madhe, krejt i mori atëherë Jugosllavia. Vetëm një shpi naj lanë, një shpi të vogël, qaty me mixhën e me krejt. Nana ike prej partizanëve, patën me mytë edhe nanën teme. Prej kojshive në kojshi t’u ikë, ka shpëtu” – thotë Zekerijau, që tash është edhe kyetar i Shoqatës së Prishtinasëve në Turqi.
Pas vështirësive të mëdha, familja e tij ishte vendosur në Stamboll, ku tash gëzon një jetë të qetë. Persekutimet e ish-Jugosllavisë i takojnë të së kaluarës, ndërsa Zekerijau është një afarist i madh, duke e tejkaluar edhe varfërinë, ku e zhvendosi ish regjimi i Titos.
“Unë e kam fabrikën, punojnë 600 veta. Gjithkush ka shpëtu, kemi mbërri deri te një shkallë, ama shumë kemi punue. Kemi mbetë të uritur” – rrëfen Zekerijau, i cili thotë se është i gatshëm të investojë në Kosovën e pavarur.