Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka paralajmëruar protestën e radhës, të cilën ajo e quajti “për identitet e dinjitet”.
Sinani bëri të ditur se marshi në komunën e Preshevës do të mbahet më 23 shtator, duke filluar nga ora 13:00, ku sipas saj, protestuesit do të marshojnë nga stadiumi i qytetit të Preshevës e deri te qendra e qyteti.
“Të marshojmë, të gjithë bashkë. Kundër diskriminimit, shtypjes dhe shkeljeve që i bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Të marshojmë për barazi dhe drejtësi”.
“Në Gusht ishim në Bujanoc, në Shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë”, shkroi Sinani.
Tutje, ajo tha se me këtë protestë, qytetarët shqiptarë në Luginë do të kërkojnë ndërprerjen e masivizimit të adresave, njohjen e diplomave, vende pune dhe për institucione të hapura për të gjithë.
“Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë”, shkroi Sinani.