Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar para një ndeshjeje vendimtare të Kombëtares shqiptare kundër asaj spanjolle, në të cilën do të vendoset edhe fati i kuqezinjve për ecurinë e tyre në Euro 2024.
Përmes një publikimi në median sociale Facebook, Rama shkruan se askush më parë nuk do ta besonte se në ndeshjen e tretë, në grupin e vdekjes, Shqipëria do të ishte ende në lojë për kualifikim. Por, situata është e tillë, pavarësisht eksperiencës së madhe të rivalëve.
Ndërkohë që, pavarësisht rezultatit, ai ka thënë se Kombëtarja do të dalë me kokën lart nga ky Kampionat Evropian.
Publikimi i plotë i Edi Ramës:
F⚽️RCA🦅SHQIPE🇦🇱
🇦🇱Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”👐🏿
Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen🇦🇱🤷🏻♂️
Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë🇦🇱💪
Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EUR⚽️2024-ës🙏🇦🇱
#KrenarpërShqipërinë🦅🇦🇱