16.2 C
New York
Sunday, October 12, 2025

Buy now

Shqipëria ndalon përkohësisht qarkullimin e trotinetëve elektrikë

- Advertisement -

Policia e Shtetit ka vendosur të ndalojë përkohësisht qarkullimin e trotinetëve elektrikë.

Kjo u njoftua në një takim të Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Ndalimi i trotinetëve elektrikë është bërë përkohësisht, deri në hartimin e një plani të plotë, siç deklaroi ministrja Koçiu.

Deri atëherë, do të përgatiten rregulla të reja strikte, që do të përfshijnë lëvizjen, moshën dhe shpejtësinë, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu, dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore, që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi do të bëhet vetëm pas përfundimit të këtij procesi dhe do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë”.

“Do të përcaktojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi dhe shpejtësia e lejuar. Megjithatë, deri në hartimin e një kuadri të plotë rregullator, interesi publik kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, tha ministrja Koçiu.

Policia e Shtetit do të bllokojë qarkullimin e trotineteve nga dita e hënë, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda njoftoi se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 991 raste aksidentesh të shkaktuara nga këto mjete.

“Që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve, dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë këtij procesi. Ne kemi bërë një analizë të hollësishme lidhur me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin se përdorimi i këtyre mjeteve shkakton një rrezik të menjëhershëm për sigurinë publike. Mjafton të përmendim faktin që vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar 991 raste aksidentesh me këto mjete nga Urgjenca. Midis këtyre rasteve ka pasur edhe fatalitete dhe dëmtime shumë të rënda”, tha Proda.

Të ngjashme

Të fundit