Shqipëria mbështetet tek familja për kujdesin e të moshuarve

- Advertisement -

Në Shqipëri, kujdesi për të moshuarit dhe personat në nevojë mbetet kryesisht një përgjegjësi familjare, ndryshe nga modeli europian ku rolin kryesor e luajnë shërbimet publike dhe profesionale. Kjo del nga raporti për kujdesin afatgjatë në Ballkani Perëndimor, i cili tregon se vendi ynë, ashtu si edhe Kosova, vazhdon të mbështetet te modeli tradicional, ku familja është shtylla kryesore e kujdesit.

Në praktikë, kjo do të thotë se shumica e personave që kanë nevojë për asistencë, qofshin të moshuar apo me probleme shëndetësore, mbështeten te të afërmit e tyre, shpesh pa pagesë dhe pa mbështetje të mjaftueshme nga shteti. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e Bashkimit Europian dhe disa vende të rajonit kanë kaluar drejt modeleve të përziera, ku kujdesi ofrohet përmes një kombinimi shërbimesh, si qendrat rezidenciale, kujdesi në komunitet dhe shërbimet profesionale në shtëpi.

Raporti thekson se në Shqipëri kapacitetet publike mbeten të kufizuara, me një numër të vogël përfituesish nga shërbimet sociale dhe me mungesë të theksuar të shërbimeve në shtëpi, ndërsa diferencat mes zonave urbane dhe rurale e bëjnë edhe më të vështirë aksesin për shumë qytetarë. Një tjetër problem i rëndësishëm është mungesa e koordinimit mes sistemit shëndetësor dhe atij social, çka bën që personat që kanë nevojë për kujdes afatgjatë të mos marrin një shërbim të integruar.

Ndërkohë, vendet e Bashkimit Europian e kanë zhvilluar këtë integrim si një nga shtyllat kryesore të sistemit të kujdesit. Raporti paralajmëron gjithashtu për një sfidë të madhe për të ardhmen, pasi Shqipëria po përballet me plakje të shpejtë të popullsisë dhe emigracion të lartë të të rinjve, duke ulur numrin e personave që mund të kujdesen për familjarët.

Kjo krijon një situatë ku kërkesa për kujdes rritet, ndërsa burimet njerëzore për ta ofruar atë brenda familjes po pakësohen. Në krahasim me vendet e tjera, Shqipëria mbetet në një fazë më të hershme zhvillimi të sistemit të kujdesit afatgjatë, me shpenzime publike më të ulëta dhe një treg të kufizuar shërbimesh, ndërsa shumë vende europiane kanë ndërtuar sisteme më të strukturuara me mbështetje financiare për familjarët dhe rrjete më të gjera shërbimesh profesionale.

Raporti nënvizon se modeli aktual, i mbështetur kryesisht te familja, rrezikon të mos jetë i qëndrueshëm në të ardhmen dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për rritjen e investimeve, zhvillimin e shërbimeve dhe integrimin e sistemit social me atë shëndetësor.

Të ngjashme

Të fundit