Shqipëria çeli sot kapitullin e Marrëdhënieve me Jashtë, ndërsa në konferencën e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE që u mbajt në Bruksel, Kryeministri Edi Rama përsëriti ambicien për anëtarësimin e plotë të vendit brenda kësaj dekade.
Rama tha se Shqipëria është në momentin më të mirë të historisë së saj, teksa tha se megjithatë nuk e nënvlerësohet parimi bazë i meritave për të anëtarësuar në BE që, për kreun e qeverisë, do të ndihmojë vendin tonë në kryerjen e “detyrave të shtëpisë”.
“Për ne është e qartë, ne jemi të ndërgjegjshëm që Evropa nuk është e bashkuar vetëm nga gjeografia, por nga vlera, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe siguria e përbashkët. Nuk ka dyshim që një Evropë me Ballkanin Perëndimor do të jetë më e fortë, më e bashkuar dhe më e sigurt. Ndaj ambicia jonë nuk është sekret, ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 dhe me shpresë, anëtarësimi ynë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është shumë ambicioze, por ne e kemi ndarë këtë me Komisionin që na ka mbështetur gjatë të gjitha presidencave dhe është thelbësore për ne që duke mos harruar edhe pa nënvlerësuar parimin në bazë të meritave dhe ky parim për ne është shumë i rëndësishëm sepse do të na ndihmojë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, për hatrin tonë”, tha Rama.
Kryeministri shprehu edhe ambicien për ta bërë Shqipërinë “Evropën e Ballkanit Perëndimor”, teksa shtoi se çelja e grupkapitujve konfirmoi konkretisht se rajoni është në vëmendjen e BE.
“Ne duam të bëjmë sa më mirë që të jetë e mundur dhe shpresoj që ta bëjmë Shqipërinë Evropën e Ballkanit Perëndimor sepse jemi të mirë-pozicionuar për ta bërë këtë dhe ne na duhet të kapim nga ky bashkëpunim dhe partneritet për ta bërë një gjë të tillë dhe ne jemi të përkushtuar të shikojmë me sytë e së ardhmes dhe jo të së shkuarës që e ka parandaluar vendin tonë dhe të rajonit që të progresojnë sa duhet. Them me bindje që ne jemi në momentin më të mirë të historisë sonë dhe Europa dhe BE është në momentin më të mirë për të kuptuar që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e saj. Ky moment ka mbyllur diçka që ne kishim filluar ta dyshonim, por tashmë BE ka një zemër dhe ne e kemi dëshmuar këtë, nuk është aq e madhe por është një fakt që është aty”, deklaroi Rama