9 C
New York
Friday, April 18, 2025

Buy now

Shqipëri: Nesër nis fushata zgjedhore, bëhet thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme

- Advertisement -

Një ditë para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore në Shqipëri, prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Prokuroria e Përgjithshme organizuan një tryezë për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, në fjalën e tij u shpreh se, “integriteti zgjedhor qëndron në themel të çdo shoqërie demokratike”.

Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta, llogaridhënie, transparencë dhe angazhim të palëkundur ndaj shtetit të së drejtës. Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit kanë detyrën thelbësore të hetimit, ndjekjes finale dhe luftës kundër krimit zgjedhor”, tha Tarran, raporton ReportTv.

Ai theksoi se, “megjithëse është bërë përparim raportet përfundimtare të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato vendore të vitit 2023 vënë në dukje se krimi zgjedhor, në veçanti shitblerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës dhe frikësimi i votuesve vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese”.

“Të dyja raportet rekomandojnë që organet ligjzbatuese të bëjnë çdo përpjekje për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha akuzat për shkelje zgjedhore, përfshirë shitblerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente”, tha Tarran.

Ambasadori u shpreh se, “votuesit duhet të informohen në mënyrë sistematike për mekanizmat përkatës, lidhur me raportin e shkeljeve, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe garancitë kundër hakmarrjes”.

Tarran vlerësoi masat paraprake dhe të bashkërenduara të ndërmarra nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, SPAK-u dhe Policisë së Shtetit për sfidat që lidhen me krimet zgjedhore.

Të ngjashme

Të fundit