6.7 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Shqipe Mehmeti-Selimi: Kam qenë ushtare e UÇK-së – e gëzoj me krenari statusin e veteranes

- Advertisement -

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, dëshmitarja Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka thënë se ajo gëzon statusin e veteranes luftëtare dhe e mban me krenari.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mehmeti-Selimi tha se pyetja se a ka qenë luftëtare është shumë e çuditshme, pasi që këtë e dinë jo vetëm kolegët e saj, por e gjithë Kosovë.

“Kjo pyetje pak për mu është e çuditshme sepse jo vetëm që këta kolegët e mi që e dinë, por e di e gjithë Kosova që unë kam qenë ushtare e UÇK-së dhe luftëtare dhe krenare”, tha dëshmitarja Mehmeti-Selimi.

Fillimisht, dëshmitarja Mehmeti-Selimi ka pohuar se ka qenë pjesë e UÇK-së në zonën e Drenicës nga muaji maj 1998 deri në përfundim të luftës.

Ajo tha se deri në dhjetor të vitit 1998 kishte qenë në zonën e Drenicës, kurse më pas kishte kaluar në zonën operative të Karadakut, e armatosur rëndë me kallashnikov dhe me një pistoletë.

Dëshmitarja shtoi se në kohën e angazhimit në luftë kishte qenë 14-vjeçe dhe aplikacionin për njohjen e statusit të veteranit e kishte plotësuar personalisht.

Dëshmitarja Mehmeti-Selimi tha se sot gëzon statusin e veteranit luftëtar dhe e mban me krenari, duke shtuar se beneficionin e statusit të veteranit dhe përfitimin e kishte gëzuar në një periudhë njëvjeçare kur kishte qenë e pa punë, kurse në momentin që është punësuar është ndalë.

Tutje, ajo tha se është ndjerë keq kur ka pranuar ftesën që të vijë në cilësi të dëshmitares.

“Fillimisht kur e mora ftesën me ardhë në rastin e veteranëve si dëshmitare, u niva keq dhe u niva edhe më keq që kur erdha sot se e pash poshtë gjykata për krime të rënda, dhe unë s’du me pa asnjërin nga bashkëluftëtarët e mi që vijnë këtu për krime të rënda aq më pak për statusin e veteranit”, tha në fund dëshmitarja Mehmeti-Selimi.

Aktualisht, Mehmeti-Selimi është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më pas, seanca ka vazhdar me dëgjimin e dëshmitarit Fidan Thaqi, i cili ka pohuar se ka qenë në luftë nga viti 1998 deri në përfundim.

Ai tha se në atë kohë ka qenë 17-vjeçar, ka qenë i pajisur me tipin e armës “kallashnikov” dhe ka qenë i uniformuar e që sot gëzon statusin e veteranit.

Kurse, dëshmitari Ardian Veliqi po ashtu ka pohuar se ka qenë në luftë nga viti 1998 deri në përfundim të luftës në Brigadën 112.

Ai tha se fillimisht kishe pasur armë të shkurta pasi që ka qenë i angazhuar në pjesën e qytetit të Skenderajt, kurse pasi që kishte dalë në teren ishte pajisur me armë të gjata.

I njëjti tha se në kohën e angazhimit kishte qenë 16-vjeç por që kishte gënjyer kinse ka 18-vjeç nga frika që nuk do ta marrin si pjesëtar të UÇK-së, duke shtuar se sot gëzon statusin e veteranit.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi. /BetimiPerDrejtesi

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit