Kardiologu Daut Gorani ka bërë me dije se po rriten rastet e sëmundjeve të zemrës tek të rinjtë në Kosovë.
Ai ka treguar se në muajt e fundit kanë pranuar pacient të moshës 22-23 vjeçare.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gorani ka thënë se në klinikë po paraqiten me sindromën akute koronare.
“Kohët e fundit është vërejtur një trend në rritje i të sëmurëve nga zemra me moshë të re. Ne para disa muajve kemi pranuar pacient të moshës 22-vjeçare, pastaj kemi 23-24-vjeçarë. Pra, nga mosha 20 deri në moshën 30-vjeçare është hetuar që kohëve të fundit ka mjaft pacientë që vijnë me sindromën akute koronare”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Është shqetësuese dhe është për shkak të faktorëve të rrezikut. Në radhë të parë është duhanpirja, tek të rinjtë është mjaft e pranishme duhanpirja. Ndonjëherë është edhe abuzimi me droga, për shkak se drogat shkaktojnë çarjen e arterieve koronare, arterieve të zemrës. Pastaj kemi kequshqyeshmërinë, obeziteti është shumë i pranishëm kohëve të fundit, të rinjtë përdorin shumë fast food, do të thotë ushqimin e shpejtë dhe me shumë yndyrna dhe shumë sheqerna”, është shprehur ai.






