Qytetarët në Kosovë po shprehin shqetësim të madh për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se për standardin e tyre ekonomik faturat janë bërë të papërballueshme, raporton Ekonomia Online.
Bislim Ademi tha se rritja e rrymës është e rëndë për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
“Ne po e shohim se shumë gabim i madh dhe shtrejtim i madh, po se si do t’ia dalim veç një Zot e din. Për standard tonë është shtrejtë shumë, por shpresojmë që vjen ndonjë vendim e lirojnë. Nuk është mirë, për pensionera nuk është e përballueshme fare. Edhe për të tjerët që kanë rrogat më të vogla as për ta për as kënd nuk është e përballueshme”, tha ai.
Në të njëjtën linjë, qytetari Nexhat Zhuja theksoi se gjendja në sektorin energjetik është pasojë e investimeve jo produktive ndër vite.
“Elektroekonomia e Kosovës është një objekt shumë i vjetruar në të cilën është investuar kohë pas kohe por investimet në makina të vjetra janë shumë jo produktive edhe e kemi këtë energji që e kemi. Pas privatizmit nuk e di çka ka ndryshuar brenda, se dikuj duhet me ja dhanë rrymë e dikush duhet me ble nga jashtë. Është bukur vështirë e përballueshme sidomos për neve pensionerët, sigurisht edhe për bizneset duhet me kanë vështirë. Duhet me ble jashtë rrymën, kjo tregon se strukturat e shtetit pas luftës nuk kanë punuar kurgja në çështje të rrymës që me rrit vëllimin”, tha ai.
Ndërkaq, Nezir Haxholli nga Prishtina tha se rritja e çmimeve është barrë e papërballueshme, duke e lidhur edhe me politikat qeverisëse.
“Tregun se do të rritet prapë rryma, po boll po rritet. Mu më vije 27-28 euro nuk e lëshoj kurrë, amo kurrë hiq, se nuk rri në shtëpi unë. Po tash llogaritë rri në shtëpi lëshoj ngrohjen, pa 150 euro nuk vjen a 200 euro marr penzi. Nuk është e përballueshme, pe din edhe qytetarët që kjo politika e Albin Kurtit, ky e ka pru në këtë derexhe Kosovën në këto katër vitet e fundit”, tha ai.
Ndërkohë, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, në një konferencë për media javën e kaluar, tha se deri në fund të vitit do të bëhet sërish shqyrtimi i tarifave të energjisë, ku ekziston mundësia e rritjes, por edhe e uljes së tyre.
“Ekziston mundësia ne mund të themi që ajo do të jetë shqyrtimi i ardhshëm tarifor në dhjetor të këtij viti pastaj do të shikojmë stafi i ZRRE-së do t’i shikoj kostot e sistemit, varet se sa është kosto e sistemit do ketë mundësi edhe të rritjes, por nuk përjashtohet mundësia edhe e zbritjes në rast kursimeve… jo domosdoshmërisht në mënyrë arbitrare të kemi rritje dhe zbritje ato varen nga kosto e sistemit”, ka thënë Fejzullahu.