Aktori dhe regjisori i mirënjohur, Enver Petrovci, në një rrëfim për emisionin “Voilà” në kanalin e YouTube të Top Channel, kohë para vdekjes kishte rrëfyer se është pranë një vendimi të madh në karrierën e tij.
Ai ishte shprehur se dëshironte të interpretojë edhe një rol të fundit në teatër dhe më pas të tërhiqet nga aktrimi skenik, për t’iu kushtuar më shumë dramaturgjisë, regjisë dhe projekteve televizive.
“Të jesh aktor është si të jesh sportist, duhet fuqi dhe përkushtim. Kam vendosur që pas një roli kryesor në teatër të mos merrem më me aktrim në skenë. Në film dhe televizion do të vazhdoj, sepse janë më të lehta fizikisht. Do të përqendrohem në regji dhe dramaturgji”, tha ai.
Petrovci kishte folur edhe për respektin që ka ndaj aktorëve shqiptarë dhe për talentin e tyre, duke përmendur se ka një peng të madh: nuk e ka parë kurrë të performojë në skenë aktorin e njohur Sulejman Pitarka.
I pyetur për profesionin që do të kishte zgjedhur po të mos ishte aktor, ai tregoi se do të kishte qenë marangoz, duke zbuluar dashurinë e tij për punën me drurin dhe dëshirën e hershme për të ndërtuar një shtëpi tërësisht prej druri.
Në këtë intervistë, Petrovci kishe dhënë edhe një mesazh të fortë për mënyrën se si vlerësohen artistët në hapësirën shqiptare, duke theksuar se shpesh nderimet më të mëdha u bëhen vetëm pas vdekjes.
“Unë gjithmonë e kam mbajtur për vete mendimin tim, duke menduar se mënyra se si jetoj dhe çfarë bëj një ditë do të tregojë kush jam. Kam kuptuar se tek ne, tek shqiptarët, njeriu vlerësohet më shumë pas vdekjes. Shpresoj që kur të mos jem më, atëherë të vlerësojnë saktësisht kush kam qenë unë”, tha ai.