Asamblisti i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Duke e cituar një thënie të gjyshit të tij, ambasadori amerikan e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të mos urinoi në derën e klubit ku dëshiron të hyj.
Azemi i VV-së, i cili është edhe këshilltar i ministrit Arben Vitia, ka ironizuar me deklaratën e diplomatit amerikan.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai pretendon se edhe gjyshi i tij e ka një thënie.
“Një gjysh i jemi thojke; ‘Shpija jote, pordha jote’”, ka shkruar ai.
Ambasadori Hovenier dje i ka thënë Qeverisë se “po urinojnë në klubin ku duan të bëhen pjesë”, pra në NATO e BE.
“Gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem me falni për karakterin paksa të shëmtuar të në të, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit. Qëllimi im se çka dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të na jap argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime.” – tha Hovenier.