23.2 C
New York
Friday, June 20, 2025

Buy now

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit nuk u pasqyrua në financa, Auditori gjen mungesa në llogaritjen e dëmit nga sulmi në Varragë

- Advertisement -

Një sulm i ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë të Zubin Potokut, që dëmtoi rëndë kanalin kryesor të ujit të Ibër-Lepencit, nuk ishte reflektuar fare në pasqyrat financiare të ndërmarrjes publike që menaxhon këtë kanal strategjik për ujin dhe energjinë në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila dje publikoi raportin për pasqyrat financiare të ndërmarrjes NPH “Ibër-Lepenc” sh.a., ndonëse ndërmarrja ka bërë një përllogaritje të përafërt të dëmit të shkaktuar nga shpërthimi, kjo nuk është përfshirë në regjistrimet kontabël, dhe rrjedhimisht as në pasqyrat financiare për vitin 2024.

Çfarë ndodhi në Varragë?

Në mbrëmjen e 29 nëntorit 2024, një shpërthim i fuqishëm goditi akuaduktin e tipit AK1 në fshatin Varragë, që është pjesë e segmentit të kanalit Pridvoricë–Obiliq të sistemit të Ibër-Lepencit. Ky kanal është arteria kryesore e furnizimit me ujë nga Liqeni i Ujmanit, i cili u shërben disa qyteteve të Kosovës dhe është jetik për funksionimin e Termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Fatmirësisht, nuk pati viktima. Por dëmtimi i infrastrukturës së kanalit alarmoi institucionet vendore. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti ngjarjen një “sulm kriminel dhe terrorist” të orkestruar nga Serbia, me qëllim, sipas tij, “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme të vendit”.

Gabimi financiar: Dëmi u injorua në libra

Në vend që ky incident i rëndë të regjistrohej në mënyrë të menjëhershme në kontabilitetin e ndërmarrjes, ZKA konstaton se dëmi as nuk është regjistruar si humbje, e as nuk është trajtuar sipas standardeve kontabël për pasuri dhe humbje materiale.

Auditori kërkoi që ndërmarrja të bëjë një vlerësim të saktë dhe të dokumentuar të dëmit, dhe më pas ta pasqyrojë atë në pasqyrat zyrtare financiare. Vetëm pas këtij rekomandimi, ndërmarrja kishte ndërmarrë hapat për të reflektuar humbjen.

Përveç dëmit të shpërthimit, ZKA ka zbuluar edhe një tjetër problem në llogaritë e Ibër-Lepencit, investimet në vijim janë prezantuar si pasuri në përdorim, edhe pse ato nuk janë funksionalizuar ende.

Bëhet fjalë për një shumë prej 390,315 eurosh, e cila është kategorizuar gabimisht, duke krijuar një pasqyrë të pa sakt për pasuritë aktive të ndërmarrjes. Edhe në këtë rast, ZKA kërkoi korrigjimin e të dhënave, të cilat, sipas raportit janë përmirësuar gjatë fazës së auditimit.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” është një nga asetet strategjike të shtetit, që ndikon direkt në sigurinë ujore, energjinë dhe furnizimin për qytetarët dhe industrinë. Mospasqyrimi i drejtë i dëmeve dhe i pasurisë nuk është thjesht gabim teknik, është rrezik për transparencën financiare, llogaridhënien publike dhe sigurinë kombëtare.

Të ngjashme

Të fundit