Kryetari i Fenerbahçes, një prej klubeve sportive më të mëdha të Turqisë, u thirr të shtunën për të dhënë dëshmi në kuadër të një procesi hetimor për trafik droge, ku janë përfshirë edhe figura të njohura nga bota e argëtimit dhe medias.
Sadettin Saran, i cili mban shtetësi të dyfishtë, turke dhe amerikane, dha deklaratën e tij në Stamboll pasi u kthye nga një vizitë jashtë vendit. Më pas, ai u dërgua në një institut të mjekësisë ligjore për t’iu marrë mostra e gjakut dhe flokëve, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Që nga fillimi i dhjetorit, më shumë se dhjetë persona janë ndaluar si pjesë e hetimit që po drejtohet nga Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit. Mes të ndaluarve ka prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe influencues të rrjeteve sociale, të dyshuar për vepra penale që përfshijnë prodhimin dhe trafikimin e drogës, si dhe lehtësimin e prostitucionit. Shumë prej tyre i janë nënshtruar analizave të gjakut dhe flokëve për praninë e substancave narkotike.
Saran, i lindur në Denver dhe i zgjedhur kryetar i Fenerbahçes në shtator, u mor në pyetje nën dyshimin për sigurimin dhe lehtësimin e përdorimit të substancave narkotike. Pas dhënies së mostrave mjeko-ligjore, ai u rikthye në gjykatën e Çaglayan dhe më pas u lirua nën masa gjyqësore.






