Banorët e rrugës “Nora e Hotit” në “Dragodan” janë traumatizuar mëngjesin e së martës me shpërthimin e kanalizimit duke shkaktuar kundërmim për banoret që jetojnë në atë zonë. Si rezultat i saj, banoret shqetësohen në përhapjen e ndonjë sëmundjeje, raporton EO..
Nga kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë thënë për Ekonomia Online se pas pranimit të informatës, ekipet e saj kanë dal në teren për të sanuar problemin.
Azemine Hajdari, banore e kësaj lagje, tha për Ekonomia Online se duke marr parasysh temperaturat e larta që janë duke mbizotëruar, banoret rrezikohen nga ndonjë kontaminim. Për këtë ajo shpreson që përgjegjësit do të ndërmarrin veprime.
“Sigurisht është duke u vërejtur edhe nga pamjet, është e dëmshme edhe çdo kujt i pengon. Besoj që ndërmarrin diçka sa më parë për të rregulluar këtë problem. Sigurisht që rrezikohemi prej ndonjë kontaminimi, besoj që ndërmarrin diçka para se të përhapet ndonjë sëmundje në këtë lagje”, tha ajo.
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një përgjigje për EO, ka thënë se ekipet e kanalizimit kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Ekipet e kanalizimit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kur ka probleme të tilla ne i pastrojmë kanalizimet, nëse gypat janë të ndrydhur në bashkëpunim me komunën e sanojmë problemin”, ka deklaruar Mjeku përmes telefonit.