9.6 C
New York
Sunday, November 23, 2025

Buy now

Shpërndarja e Kuvendit sjell kufizime buxhetore, profesionistët paralajmërojnë pasoja serioze për vitin 2026

- Advertisement -

Dështimi për formimin e Qeverisë së re dhe shpërndarja e Kuvendit do ta çojnë Kosovën në vitin e ri me kufizime buxhetore, duke i lënë në dispozicion vetëm 1/12-tën e tij në dispozicion. Për të shmangur bllokadën, legjislatura e dhjetë, e cila pritet të dalë nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit, duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.

Shpërndarja e legjislaturës së nëntë të Kuvendit pas dështimit për formimin e Qeverisë së re, do të krijojë kufizime në raport me përdorimin e buxhetit nga ky vit në vitin e ri.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, përcakton kufizimet në ndarjet buxhetore kur vendi hyn në vitin e ri pa e miratuar buxhetin e ri.

Neni 24, saktëson se në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje parlamentare në katër muajt e fundit, ligji mbi ndarjet buxhetore, i cili ka qenë në fuqi vitin e mëparshëm do të trajtohet “thuajse është zgjatur për të mbuluar muajin e parë të vitit të tillë fiskal; dhe thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me 8.33 % të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”.

Në këto rrethana, për shmangien e bllokadës në kuletën e shtetit, legjislatura e dhjetë e Kuvendit duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.

Duke i quajtur të papërgjegjshëm vendimmarrësit, profesori Shkumbin Misini listoi një varg pasojash, nisur nga vështirësimi i jetës së qytetarëve e deri te ndikimi në investime.

“Ka deadline të cilat i kanë kompanitë kontraktuese dhe të cilat nëse nuk bëhet pagesa në mënyrë automatike shkojnë me penalti… Ne problemin tjetër do ta kemi pas zgjedhjeve, përsëri një krizë e tillë, ka me shku me muaj të tërë të arrihet ndonjë marrëveshj, sepse nuk e kemi të sigurt, për të arritur deri te konstituimi i Kuvendit. Sepse ne jemi mësu me politikanët tanë, janë të papërgjegjshëm”, ka thënë Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë për RTV Dukagjinin.

Profesori i ekonomisë Mustafë Kadrijaj, foli për kufizimet buxhetore me të cilat nis viti i ri.

“Këtu nuk ka faj ligji e as institucionet që i mbrojnë ato parime, por ky është vetëm problem politik, që partitë politike e kanë sjellë situatën çfarë është, një situatë aspak e lakmueshme”, ka thënë Mustafë Kadriaj, profesor i Ekonomisë.

Të enjten pasdite, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se u kishte propozuar partive politike që, para shpërndarjes së Kuvendit, të mbajnë një seancë ku do të trajtohej edhe çështja e buxhetit dhe zgjatja e tij për së paku tre muaj.

Të ngjashme

Të fundit