Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shpenzimet e partive për tre muajt e fundit, korrik-shtator.
Sipas dokumentit, Lëvizja Vetëvendosje për tre muaj ka shpenzuar 663 mijë e 459 euro, duke tejkaluar kështu buxhetin për 234 mijë e 292 euro. Në tremujorin paraprak, kjo parti kishte shpenzuar rreth 157 mijë euro më pak se buxheti që kishte, apo në total 498 mijë e 800 euro.
Në dokument figuron se 110 mijë euro janë shpenzime marketing, ku rreth 25 mijë euro janë për reklama dhe konkurse dhe mbi 85 mijë tjera për “shpenzimet për informim publik”.
Rreth 85 mijë euro janë shpenzime të qirasë, ku përfshihen qiratë për ndërtesa dhe makina.
Për dreka zyrtare, LVV ka shpenzuar 5 mijë e 530 euro, teksa mbi 16 mijë euro figurojnë shpenzime të udhëtimit.
94 mijë e 185 euro figurojnë si shpenzime për ushqim dhe pije, 33 mijë e 320 euro shpenzime për akomodim dhe 13 mijë e 262 euro janë shpenzime për furnizime për zyre.
Ndërkohë, shuma e shpenzuar për karburante është 31 mijë e 72 euro. Për paga kanë shkuar 238 mijë e 528 euro.
Si donacione, kjo parti ka përfituar 23 mijë e 160 euro për tre muaj. Tek lista e donatorëve figurojnë edhe Glauk Konjufca e Avni Dehari.
Këto shpenzime publikohen me qëllim të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financim të Subjekteve Politike.
Sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në ueb faqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike.