VV e përdor absolutizmin moral si shpatë të sajen, në çdo diskutim politik, nga debati për Gjykatën Speciale deri te bisedimet me Serbinë. Në variantin ma të mirë, kjo është dembeli morale e maskuar si virtyt.
Dhjetëra mijëra shqiptarë, të udhëhequr nga organizatat e veteranëve të Kosovës, protestuan javën e kaluar kundër “padrejtësisë së madhe” që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara, ku po gjykohen bashkëthemeluesit e ushtrisë që nisi kryengritjen kundër regjimit të Millosheviqit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe figura të rëndësishme politike shqiptare nga rajoni, e mbështetën fuqishëm protestën, me disa përjashtime të dukshme: Presidentja dhe ish-kryeministri i Kosovës qëndruan kryesisht në heshtje. Në fakt, partia ish-qeverisëse, Vetëvendosje, e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, publikoi një deklaratë të ashpër, duke e lënë nënkuptuari se Hashim Thaçi e solli këtë gjykatë mbi veten, se ai kishte mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale dhe prandaj s’ka kë të fajësojë për aktakuzën ndaj tij.
Kjo është një narrativë e zakonshme që i lejon ish kryeministrit me mbajt rolin e profetit me largpamësi: “E kam ditë. E kam thanë”. Por është edhe një shtrembërim cinik i historisë, dhe një shembull i përkryer se qysh ndjenja permanente e “drejtësisë morale” e Kurtit ja ka nisë me rrëshqitë në revizionizëm të kalbur historik.
Pretendimi i VV-së, sigurisht, na kujton Ungjillin sipas Mateut (26:52), ku Jezusi i thotë Pjetrit: “Ktheje shpatën në vendin e saj, sepse kush merr shpatën, nga shpata do të vdesë.” Ky është një nga vargjet më të cituara të Biblës dhe përçon mirë mesazhin që VV tenton t’i japë publikut shqiptar, të përsëritur pa fund nga aparati i saj partiak dhe ushtria e trollëve në rrjete sociale.
Por krejt pretendimi është një gabim i madh logjik. Një fallacy e rrezikshme.
Konteksti që VV zgjedh ta harrojë
Para disa vitesh, Dr. Nevenka Tromp, hulumtuese e krimeve të luftës dhe hetuese me përvojë në Tribunalin e Hagës (ICTY), mbajti një ligjëratë ku shpjegonte mirë kontekstin e krijimit të Dhomave të Specializuara:
“Shpeshtësia e përmendjes së emrit të Presidentit Thaçi në raportin e Dick Martyt tregonte se autorët e raportit – dhe ata që furnizonin me informata autorët – synonin krijimin e një gjykate speciale dhe se Presidenti Thaçi mund të ishte një nga të akuzuarit. Paradoksalisht, gjykata arriti të themelohej zyrtarisht vetëm në vitin 2015 pasi Hashim Thaçi loboi fuqishëm që Kuvendi të ndryshonte Kushtetutën e Kosovës për t’i lejuar një gjykatë të tillë të vendosej jashtë vendit, në Hagë. Kjo nuk ndikoi hiç mirë në popullaritetin e tij te bashkëqytetarët. Opozita e përdori në luftën politike kundër tij dhe partisë së tij… Ky diskurs i dështimit të hesapeve e paraqet rolin e Thaçit në krijimin e gjykatës si shenjë të dobësisë së tij politike.”
Pra, të jemi të qartë: Gjykata Speciale nuk ishte ndonjë projekt personal i Presidentit Thaçi.
Ishte produkt i shantazhit gjeopolitik. Në vitin 2015, qeveria e atëhershme amerikane ushtroi presion të jashtëzakonshëm mbi udhëheqësit e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit që të miratonin krijimin e gjykatës, si përgjigje ndaj akuzave të Dick Martyt për trafik organesh. Ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, bëri një kërcënim të qartë: nëse Kosova refuzonte të krijonte vetë tribunalen, Kombet e Bashkuara do ta impononin atë, dhe “marrëdhënia e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare do të pezullohej.”
Zgjedhja për Thaçin dhe koalicionin e atëhershëm qeverisës të PDK-LDK-së nuk ishte në mes një “po”-je apo “jo”-je për gjykatën speciale por mes një procesi të udhëhequr nga Kosova apo një gjykate të imponuar nga OKB nën Rezolutën 1244. Aleatët kryesorë të Kosovës në SHBA – prej Zëvendëspresidenti të atëhershem Joe Biden e deri te kongresmeni Eliot Engel dhe ish-senatori Bob Dole, përçojshin mesazhe alarmuese dhe të qarta.
Thaçi, Mustafa dhe qeveria e tyre zgjodhën ta ruanin aleancën me SHBA-në. Nuk ishte ky një qëndrim moral apo ideologjik; ishte një kompromis i sforcuar strategjik. Duke marrë përsipër procesin, Kosova ruajti të paktën një fragment të sovranitetit të saj, dhe ç’është më me rëndesi, marrëdhënien me SHBA-të. Retorika e sotme e VV-së e fshin plotësisht këtë realitet, duke pretenduar sikur Thaçi diqysh me dëshirë ftoi gjykatës të huaj për të rrënuar trashëgiminë e vetvetës.
Në të njëjtën ligjëratë të lartpërmendur në Prishtinë (që, jo rastësisht, u bojkotua nga VV), Dr. Tromp ofroi edhe një perspektivë tjetër:
“Një tjetër këndvështrim e interpreton rolin e Thaçit në krijimin e Dhomave të Specializuara si shenjë të forcës së tij udhëheqëse. Pra, Thaçi, duke e kuptuar rrezikun që, sapo të krijohej gjykata, ai vetë mund të akuzohej, vendosi interesin afatgjatë strategjik të Kosovës mbi interesin e tij personal dhe profesional.”
Gogola të vërtetë dhe dilema të rrejshme
Ky është specialiteti i VV-së: thjeshtimi i çështjeve të ndërlikuara për të pretenduar fitore morale përmes një diskursi populist të absolutizmit moral, të propaganduar me një vrull robespierrian.
Duke e paraqitur vendimin e Thaçit si tradhti e tija ndaj Kosovës, ata krijojnë një “gogol kashte” që mund ta djegin lehtë. Në botën binare të VV-së, ekzistojnë vetëm dy zgjedhje: rezistencë totale (të cilën ata pretendojnë se janë duke e udhëhequr heroikisht tani, anipse më 1998-1999 nuk u dëshmuan fort për beteja) apo dorëzim total ndaj interesave amerikane.
Por kjo është një dilemë e rreme. Refuzimi nuk ishte asnjëherë opsion i pastër apo i sigurt për Kosovën. Do të kishte sjellë pikërisht rezultatin që SHBA paralajmëroi: një gjykatë e imponuar nga OKB-ja, krejtësisht jashtë kontrollit të Kosovës. Absolutizmi moral i VV-së injoron realitetin e kompromisit, duke e paraqitur politikën si një garë e pastërtisë morale.
Ky lloj diskursi funksionon mirë në mitingje populiste e postime në Facebook. I jep ngushëllim ledhatues për besimtarët partiakë, e kornizon të kaluarën si dramë morale, dhe e shpëton përjetësisht VV-në nga detyrimi për të shpjeguar koston që do të kishte refuzimi i gjykatës për Kosovën.
Mësimet e retrospektivës
Në Amerikë ka një shprehje të njohur: “Monday-morning quarterbacking.” Do të thotë ta analizosh lojën pas përfundimit të saj, duke pretenduar se e din se çka duhej bërë ndryshe. Kurti është mjeshtër i kësaj në politikën kosovare. Është e lehtë të gjykosh të kaluarën kur e di fundin e një rrëfimi a ngjarjeje. Por në 2015, asgjë nuk ishte e qartë. Thaçi, Mustafa dhe udhëheqësit e tjerë nuk përballeshin me zgjedhjen mes “të mirës dhe së keqes”, por mes “të keqes dhe më të keqes”: t’ja lanë krejtësisht Rusëve e Kinezëve procesin gjyqësor ose të rrezikonin rënie të popullaritetit duke krijuar një gjykatë lokale, por të deleguar në Hagë.
Askush s’mund ta dinte atëherë që një prokuror amerikan si Jack Smith do të deformonte drejtësinë, duke zhvendosur fokusin nga akuzat e rreme për trafik organesh, në një aktakuzë absurde se Thaçi ishte “udhëheqës i padiskutueshëm” i një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” të UÇK-së, duke pretenduar se sikur ajo kryengritje kryesisht rurale kishte qenë një strukturë mirë e organizuar ushtarake
Siç shkruan Daniel Serwer, ish-diplomat amerikan dhe njohës i mirë i Ballkanit, në editorialin “Një tribunal që ka dalë nga shinat”:
“Nuk e kam imagjinuar kurrë se Dhomat e Specializuara do të bënin atë që kanë bërë. Parlamenti i Kosovës, edhe unë vetë, besonte se fokusi kryesor do të ishin akuzat për trafik organesh. Por ndodhi një mashtrim: u shit një ide dhe u dorëzua një tjetër.”
Pra, narrativi “e kemi ditë” i VV-së nuk është asgjë tjetër veçse ‘mençuri’ retrospektive e shfaqun pas ngjarjes, e veshur me petkun e profecisë. Ky narrativ nënkupton se Kurti ka një gjithëdije që askush tjetër s’mund ta ketë pasur, e aq më pak një parlament nën presion. Ky është edhe një narrativ që injoron peshën e udhëheqjes së përgjegjshme për vendime të marra në mjegullën e pasigurisë dhe interesit shtetëror, jo në qartësinë e retrospektivës dhe interesit të ngushtë partiak
Vdekja nga shpata
Në paralajmërimin biblik pra, kush jeton me shpatë, nga shpata vdes.
Shpata e VV-së është absolutizmi moral – në çdo vendim politik, nga Gjykata Speciale e deri te dialogu me Serbinë, i shfaqun gjithmonë me vrull robespierrian. Por kjo retorikë populiste dhe pa rezultate ka nisë m’u kthy kundër tyre. Ky botëkuptim bardh e zi shërben mirë për sulme partizane ndaj “tradhtarëve”, por varfëron diskursin politik të Kosovës. E varfëron Kosovën edhe nga aleancat, i helmon marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe mes neve me të tjerët. Duke reduktuar historinë dhe diplomacinë në fajësime personale, shprehurme gjuhë të baltosjes, VV tradhton mu ndershmërinë intelektuale që pretendon që e mbron.
Vendimi i Kuvendit të Kosovës dhe i Thaçit për të krijuar Gjykatën Speciale nuk ishte heroik, por as i paburrë. Ishte pragmatik: një zgjedhje jo e përsosur, e bërë nën presion dhe kërcënime, brenda rezonit dhe kufijve të një shteti të vogël që përpiqet të mbijetojë nën kërkesat e aleatëve më të fuqishëm që e çliruan dhe e pavarësuan. Refuzimi i VV-së për ta pranuar këtë kompleksitet nuk është qartësi morale – është dembeli morale, në mos më keq.
Politika, si feja, kërkon modesti dhe përulësi. Dhe ata që këmbëngulin ta tundin shpatën e drejtësisë moralizuese kundër çdo kundërshtari shpallun tradhtar, fare lehtë mund ta zbulojnë shpejt se edhe historia – dhe vota popullore – ka teh të mprehtë.
Versioni origjinal është botuar anglisht në: https://petrits.substack.com/p/the-sword-and-the-court-how-vetevendosjes