Kundërshtarë të vështirë për ekipet e Kosovës Kampioni i Kosovës në futboll, FC Ballkani e ka mësuar edhe kundërshtarin e rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve, nëse arrin të bëjë mrekulli, që në raundin e parë ta kalojë kampionin e Bullgarisë, Ludogorets Rasgrad.
Nëse kjo ndodh, suharekasit do të ndeshen me fituesin e duelit Olimpija e Ljubjanës – Valmiera, Letoni. E nëse humbin nga bullgarët, Xhebrailat kalojnë në rrethin e dytë kualifikues të Konferencës evropiane, ku e presin humbësin e duelit Helsinki (Finlandë) – Larne (Irlandë Veriore).
Në këtë raund, aventurën në Evropë e nis edhe nënkampionia e Kosovës, Drita, e cila s’pati aspak fat në short, pasi do të ndeshen me, FC Viktoria Plzeň, nga Çekia. Këta të fundit, edicionin e kaluar luajtën në Ligën e Kampionëve, në grup me Interin, Bayernin dhe Barcelonën.
Nëse për Gjilanin dhe Dukagjinin, turi i parë kualifikues mund të llogaritet me fat, i dyti s’doli aspak i tillë. Gjilani nëse e kalon skuadrën nga Luksemburgu Progres Niederkorn, në rrethin e dytë ndeshet me Midtjyllandin e Danimarkës, kurse Dukagjini nëse e kalon ekipin e Gjibraltarit, FC Europa, ndeshet me Rijeken e Kroacisë.