Gjetjet e Auditorit nuk trajtohen me seriozitet nga organet e hetuesisë. Kështu vlerëson drejtoresha e Lëvizjes FOL, Megi Demolli – Nimani.
Sipas saj, gjetjet dhe rekomandimit e institucionit kryesor për kontrollin dhe monitorimin e shpenzimit të parasë publike, nuk i përfillin as institucionet të cilave iu jepen këto rekomandime, raporton Kiks Kosova.
Si rrjedhojë, ajo thotë se shkeljet vazhdojnë të përsëriten çdo vit.
Demolli-Nimani thotë se prokuroria duhet të jetë syçelë dhe t’i vendosë në prioritet gjetjet e Auditorit.
Apelet që Prokurori i Shtetit t’i marrë më seriozisht gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, i ka të vazhdueshme edhe një organizatë tjetër e shoqërisë civile.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohon se jo të gjitha gjetjet e Auditorit janë vepra penale, por mungesa e elementeve të veprës penale, nuk e përjashton mundësinë për keqmenaxhim.
Rezultatet e deritanishme të hetimit të këtyre rasteve, sipas Shalës, janë të pamjaftueshme. Mostrajtimi i duhur i këtyre gjetjeve nga organet e hetuesisë, ai thotë, se zhvleftëson punën e Auditorit Kombëtar.
Përgjegjësia për veprim, ai deklaron se bie mbi institucionin në të cilin hasën këto gjetje dhe mbi organet e hetuesisë dhe drejtësisë.