12.1 C
New York
Tuesday, October 28, 2025

Buy now

Shoqëria civile letër Osmanit: Kërkohet miratimi i buxhetit para zgjedhjeve

- Advertisement -

Një grup prej 26 organizatash të shoqërisë civile i kanë dërguar një letër publike presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e ftuar të ndërmjetësojë për tejkalimin e ngërçit politik dhe për garantimin e funksionimit të shtetit në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në letrën e tyre, organizatat shprehin shqetësimin e thellë për mungesën e marrëveshjes ndërmjet partive politike për formimin e qeverisë së re dhe paralajmërojnë për pasoja të rënda financiare e institucionale, nëse nuk miratohet me kohë buxheti për vitin 2026 dhe nëse vonohet ratifikimi i Marrëveshjeve me Bashkimin Evropian në kuadër të Planit të Rritjes.

Sipas tyre, një bllokadë e tillë do të rrezikonte pagesat për mësimdhënësit, mjekët, administratën publike dhe transferet sociale për qytetarët, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin ekonomik dhe funksionimin e institucioneve.

Organizatat propozojnë disa masa ligjore dhe institucionale për të parandaluar një krizë të tillë:

  • Qeveria në detyrë të dorëzojë projektligjin e buxhetit për vitin 2026 në Kuvend me procedura të përshpejtuara, në mënyrë që ai të miratohet para zgjedhjeve;

  • Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi aktual të votojë zgjatjen e buxhetit të vitit 2025 deri në fund të marsit 2026, në përputhje me nenin 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike;

  • Të bëhet ratifikimi i Marrëveshjes së Facilitetit dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Huasë, për të mundësuar disbursimin e këstit të parë nga Plani i Rritjes.

Në përmbyllje të letrës, organizatat theksojnë se e ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i përplasjeve politike, duke theksuar se roli unifikues i presidentes Osmani është thelbësor për të shmangur krizën dhe për të ruajtur besimin në institucionet shtetërore dhe partneritetin me Bashkimin Evropian.

Letra është nënshkruar nga një sërë organizatash të njohura, përfshirë: Institutin GAP, KCSF, INDEP, EPIK, GLPS, KLGI, SHL-Kosova, Balkan Green Foundation, Community Building Mitrovica, Community Development Fund, QKSGJ, Activism Roots, FIQ, CSGD, Kosova – Women 4 Women, EC Ma Ndryshe, YMCA Kosova, TOKA, OPED, ATRC dhe PIPS, ndër të tjera

Të ngjashme

Të fundit