Salla e Kuvendit të Kosovës, tash e shtatë ditë është në qetësi absolute. Tri seanca, prej tyre njëra e jashtëzakonshme janë duke u bojkotuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Me kërkesë të 41 deputetëve, më 16 tetor u mbajt seancë e jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës: Debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga MMPHI, shkruan Periskopi.
Seanca e jashtëzakonshme u bojkotua nga të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përfshirë këtu edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, është shprehur kritike ndaj partisë në pushtet, LVV nga e cila kërkon përgjegjësi për të garantuar funksionimin e parlamentit.
Haxholli shtoi se është shqetësues fakti që kryetari i Kuvendit nuk është paraqitur në seancat e thirrura nga partitë opozitare.
‘’Më shqetësuese për neve si institut ka qenë mungesa e kryetarit të Kuvendit i cili në bazë të rregullores dhe Kushtetutës duhet të udhëheqë me seancat e Kuvendit dhe në rast se mungon për ndonjë arsye, ne kemi parë raste ku nënkryetarja Saranda Bogujevci ka udhëhequr seancat por meqë mungoj edhe ajo dhe patëm udhëheqje nga opozita, atëherë kemi pa që partia në pushtet ka marrë një qëndrim politik për të bojkotuar iniciativat e opozitës’’, u shpreh ajo.
Sipas Haxhollit, mungesat e partisë në pushtet në seancat e Kuvendit, përkthehet si ‘’ikje nga debati’’ parlamentar derisa shtoi se ‘’çështjet që janë ngritur nga opozita janë të rëndësishme dhe nevojë për sqarime nga ana e partisë në pushtet’’.
Ajo shtoi se mungesat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje janë shenjë negative dhe e njëjta ka përgjegjësi për të mbajtur seancat.
‘’Nuk është fare pozitive sepse shumica parlamentare apo partia në pushtet e ka përgjegjësinë kryesore për të garantuar funksionimin e mirëfilltë të institucioneve, këtu përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës’’.
Hulumtuesja e KDI-së, ngriti një shqetësim tjetër sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm, pasi deklaron se mund të rrezikohet të mos kaloj, në rast se vazhdon i njëjti intensitet i ulët i punës në Kuvend.
‘’Duke e ditë që partia në pushtet nuk i ka numrat për të miratuar projektligjet dhe ka nevojë për mbështetje të opozitës, do të duhej të fillonte përpejkjet për të arritur koncensus me deputetët opozitar në mënyrë që t’i kaloj projekligjet që kanë mbet në procedurë e që janë gjithsej 51 dhe presin, pastaj janë edhe marrëveshjet ndërkombëtare si dhe projektligji për buxhetin i cili duhet të kaloj këtë vit, dhe pa një përkrahje nga deputetë tjerë përveç se atyre në pushtet, vështirë se mund të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm’’, u shpreh Haxholli.
Në anën tjetër, Naim Jakaj hulumtues i Lartë në IKD, u shpreh për Periskopin se deputetët e kanë për detyrë të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe ligjin.
‘’Neni 41 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, parashikon reduktimin e pagës bazë dhe kompensimit shtesë për deputetët që nuk marrin pjesë në seancat plenare ose në organet ndihmëse ku janë anëtarë. Por, që rregullat e tjera për pjesëmarrjen e deputetëve dhe sanksionet për shkeljet e këtyre detyrimeve do të duhej të përcaktoheshin në Rregulloren e Kuvendit ose në një Rregullore të brendshme, por që deri më tani nuk janë miratuar.
Është proceduar Kodi i Sjelljes për këtë aspekt, por që tashmë ai është tërhequr nga seanca plenare për shkak të metave kushtetuese, të meta që janë evidentuar edhe në raportin e IKD-së. Rrjedhimisht, deputetët nuk mund të ndëshkohen për punën e tyre në mungesë të një rregullimi, që vet ata janë përgjegjës’’, u shpreh Jakaj.