Ylli i muzikës pop, Britney Spears ka rrëfyer së fundmi se ndihet “me fat që është gjallë” dhe akuzon hapur familjen e saj për mënyrën se si është trajtuar ndër vite. Deklarata u publikua më 5 shkurt dhe reflekton sërish marrëdhëniet e tensionuara që këngëtarja ka me njerëzit më të afërt.
44-vjeçarja shkruan se vazhdon të përballet me ndjenja të thella vetmie dhe pasigurie, duke u shprehur se ndihet e frikësuar nga familjarët e saj, edhe pse ka zgjedhur t’i falë për të kaluarën. Ajo thekson se nevoja për përkatësi dhe lidhje njerëzore është themelore për çdo individ dhe se izolimi që i është imponuar me justifikimin e “ndihmës” ka qenë i padrejtë. “Mund të falësh, por kurrë nuk harron”, shkruan ajo.
Në të njëjtin reagim, artistja shfaq bindjen se familja e saj nuk do ta pranojë kurrë përgjegjësinë për veprimet e kryera, duke përdorur edhe një referencë fetare me fjalët se “Zoti vepron në mënyra misterioze”. Kjo nuk është hera e parë që Spears flet publikisht për marrëdhëniet e vështira me babanë, nënën dhe motrën e saj. Edhe gjatë festave të fundvitit ajo publikoi mesazhe ironike, duke lënë të kuptohet se familja i ka shkaktuar plagë të thella emocionale.
Burimi kryesor i përplasjes familjare lidhet me kujdestarinë ligjore që iu vendos asaj në vitin 2008 dhe që zgjati deri në vitin 2021. Gjatë asaj periudhe, jeta dhe pasuria e saj menaxhoheshin nga babai dhe persona të tjerë të caktuar nga gjykata. Spears ka deklaruar vazhdimisht se nuk kishte kontroll mbi vendimet kryesore financiare, profesionale apo mjekësore, duke e cilësuar atë sistem si shtypës dhe kufizues.






