Ish-drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka reaguar pasi atij i ishte përmendur emri në mbledhjen e Bordit të RTK-së më 23 korrik nga drejtori i TV-së, Rilind Gërvalla.
Gërvalla e kishte përfshirë Ahmetxhekajn në takime të ndryshme me institucione të sigurisë, ku ishte diskutuar për të mbuluar lajme të sigurisë nga rajoni, dhe me focus në ndërhyrjet e Vuçiqit.
Megjithatë, Shkumbin Ahmetxhekaj që dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të RTK-së, ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë asnjëherë në takime të tilla ku është kërkuar të publikohen lajme ku mediat lidhen me Serbinë.
“Ju konfirmoj me përgjegjësi të plotë se asnjëherë nuk kam qenë pjesë e asnjë takimi të tillë me këtë temë, e aq më pak ku është kërkuar publikimi i shkrimeve kundër mediave të tjera apo ndërlidhja e tyre me Serbinë. Poashtu, ju konfirmoj se në asnjë rast nuk ka pas koordinim mes meje dhe z. Gërvalla për plasimin e lajmeve që ai i referohet. Është për keqardhje që ai e paska përmend emrin tim në një mbledhje të Bordit ku nuk isha prezent dhe as në detyrë”, ka thënë Ahmetxhekaj për Nacionalen.
Sipas tij, nuk ka pasur dakordim me institucionet e sigurisë për të publikuar lajme të paverifikuara. Ai i ka kërkuar Gërvallës të ofrojë fakte dhe emra.
“Pra, nuk ka pasur asnjë takim për dakordim me insitucionet e sigurisë që të publikojmë lajme të paverifikuara. Z. Gervalla mund të ofrojë fakte dhe emra nëse ai i posedon dhe e konsideron të rëndësishme, por nuk mund të thirret në emrin tim”, tha Ahmetxhekaj më tutje.
Ish-drejtori ka theksuar se mediat mund të pranojnë informata, por ato duhet të verifikohen.
“Për fund: Mediat vazhdimisht pranojnë informata nga individ e zyrtarë dhe të njëjtat më pas i trajtojnë në mënyrë profesionale. Burimet mbrohen, por informatat duhet gjithsesi të verifikohen. Pra, nuk mund të amnistohemi si profesionist duke u thirrur se ‘burimi ka thënë’”, ka thënë Ahmetxhekaj për Nacionalen.
Ahmetxhekaj tha se skandali me lajmin e Slobodna Bosnës ka mundur të rregullohet me kërkim falje. Sipas tij, presioni për largimin e tij nga RTK-ja, ka pasur synim plasimin e lajmeve të tilla.
“Skandali i lajmit me Slobodna Bosna që ndodhi pak ditë pas largimit tim, ka mundur të sanohet qysh në ditën e parë, me kërkim falje dhe marrje të masave të menjëhershme. Por, tashmë është e qartë se presioni për largimin tim kishte qëllim degradimin profesional të RTK-së dhe plasimin e lajmeve të tilla që e po e shkatërrojnë kredibilitetin e RTK-së pas 30 muajve të përpjekjeve intensive për ta konsoliduar atë”, tha Shkumbin Ahmetxhekaj.
Gërvalla në procesverbalin e zbardhur nga Nacionale, flet për një takim me Ahmetxhekajn dhe institucionet e sigurisë për mbulim më të madh të ndikimit të Vuçiqit në Kosovë.
“Situata nuk rrjedhë prej këtij rasti, raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, disa kanë kaluar pa u vërejtur dhe disa nga do kanë pas tjetër redaktor editorial mbase kjo i ka ndihmuar që mos të ketë reagime të tilla, natyrisht e kuptoj rëndësinë sepse janë përmendur dy (2) media ku njëra prej tyre është mjaftë influencuese në Kosovë dhe tjetra po ashtu, por idea e gjithë kësaj ka rrjedhur nga një takim të cilin e kemi pas në muajin shkurt të vitit 2023 ku me ish drejtorin e përgjithshëm z. Shkumbin Ahmetxhekaj kemi takuar dy (2) nga përgjegjësit të sektorëve nga instancat e sigurisë ku ne e kemi marr njëfarë zotimi që të ndihmojmë në rrafshine sigurisë kombëtare edhe lajmet të cilat janë të një rrjeti pak më të gjëra se sa vetëm brenda Kosovës apo specifikisht ku kanë të bëjnë me informatat e verifikuara nga instancat e sigurisë të cilat është e koncentruar kundrejt regjimit të Vucicit dhe ndërhyrjeve të cilat I kanë bërë në rendin Kushtetues në Kosovë duke e parë sulmin e fundit i cili ndodhi në Banjskë dhe këto njohuri dhe lajme të shpejta dhe argumente të cilat na kanë dhënë herë pas here nuk kanë koncentruar vetëm tek unë që me tingëlluar që jam pësoni koordinues i kësaj gjëje por e them sinqerisht që këto kanë shkuar edhe përmes meje edhe z. Shkumbin Ahmetxhekaj ku të dy jemi konsultuar herë pas here për këto çështje dhe pak përparësi ka pas ajo pjesë pasi që kemi të bëjmë me gazetari pak më të veçantë kur flasim për sigurinë”, thotë Gërvalla.