Zgjedhja e Dritan Abazoviqit kryeministër i Malit të Zi, sipas opinionistit Armand Shkullaku, është kulm në historinë shqiptare.
Megjithatë, Shkullaku argumenton se liderët shqiptarë të rajonit nuk bashkëpunojnë mjaftueshëm me njëri-tjetrin.
“Nga ajo që kemi vuajtur ne në 30 vjetët e fundit ka qenë mungesa e përcaktimit të disa vijave apo linjave të palëvizshme në politikën ndërshtetërore mes vendeve tona, pra një protokoll po e quaj në thonjëza, një platformë nëse doni ta quajmë, mes disa vendeve, në disa pika, që të mos ketë po themi cedime”, tha Shkullaku në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Tutje, ai tha se politikanët shqiptarë të rajonit në shumë raste e kanë sulmuar njëri-tjetrin për të fituar pikë politike brenda vendeve të tyre, apo për ta faktorizuar veten para perëndimit dhe kjo, sipas tij, i ka dëmtuar marrëdhëniet mes vendeve tona.
“Cilido nga liderët kosovarë që nuk e mbështeti nismën e Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit për ‘Ballkanin e Hapur’ u atakua, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj, madje Ramushin donte ta hidhte në gjyq Edi Rama, pra dua të them se të gjitha këto raporte kanë vuajtur nga përdorimi politik për nevoja të brendshme, për të fituar pikë në politika të brendshme, por përse jo edhe për t’u faktorizuar para faktorit ndërkombëtar. Secili ka dashur të tregojë se ka në dorë faktorin shqiptar në rajon, se nuk bëhet fjalë as për dy milionë, as për tre milionë, bëhet fjalë për gjashtë milionë, shtatë milionë dhe kush ka patronatin mbi ta mund të jetë një faktor dhe për perëndimin, të gjithë kanë luajtur për ta pasur këtë rol. Për të sjellë në vëmendje për shembull edhe kabllogramet që dolën pas vitit 2014 dhe ankesat që Thaçi bënte në Ambasadën Amerikane për Sali Berishën, apo histori të kësaj natyre”.