Mirsad Shkreta është kandidati i vetëm që ka kaluar testin me shkrim për pozitën e drejtorit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK), sipas një konkursi të zhvilluar javën e kaluar.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka publikuar rezultatet e testit me shkrim, të cilat janë paraqitur me kode. Megjithatë, burime të Demokracisë brenda institucionit konfirmojnë se kandidati i vetëm që ka kaluar testin është Mirsad Shkreta, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kryetar i degës së LVV-së në komunën e Hanit të Elezit.
Sipas rezultateve të publikuara, Shkreta ka kaluar testin me 65.5 pikë, ndërsa ish-drejtori i QKSUK-së, Kastriot Meqa, nuk e ka kaluar, duke grumbulluar vetëm 47 pikë. Përveç tyre, kandidatët Zana Sllamniku-Dalipi, Aida Rexhepi dhe Shqiprim Bajrami nuk kanë marrë pjesë në testim.
Sipas këtyre burimeve, kryesues i komisionit për përzgjedhjen e drejtorit të QKSUK-së, ku Shkreta ishte kandidati i vetëm që kaloi testin me shkrim, është Ardian Shefkiu.
Shefkiu është një mik i afërt i Shkretës dhe njëherësh përkrahës i hapur i Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo vërehet nga disa postime të tij në rrjetin social Facebook, ku ai e ka mbështetur publikisht Shkretën si kandidat për deputet nga radhët e LVV-së.


Burime brenda SHSKUK-së po ashtu konfirmojnë se Shefkiu më parë ka mbajtur pozitën e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve. Pas kësaj, ai është emëruar ushtrues detyre i drejtorit shëndetësor të SHSKUK-së. Kjo pozitë u krijua si pjesë e Rregullores së re për Sistematizimin e vendeve të punës në SHSKUK, por kjo rregullore është pezulluar nga Gjykata Themelore pas padisë së disa punëtorëve të institucionit.
Me pezullimin e rregullores, bie edhe pozita e Shefkiut si drejtor shëndetësor, duke krijuar një situatë të paqartë mbi statusin e tij brenda SHSKUK-së. Përkundër pezullimit, ai është emëruar si kryesues i komisionit për konkursin për drejtorin e QKSUK-së, duke ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e tij në këtë proces.
