Ka shkuar në mbi 46,000 numri i viktimave nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, teksa kjo shifër pritet të rritet ende. Nga ky tërmet janë shkatërruar rreth 345,000 apartamente në Turqi, ndërsa edhe shumë persona tjerë janë ende të zhdukur, raporton Reuters.
Teksa Turqia tenton të menaxhojë fatkeqësinë e saj më të rëndë moderne, brengat janë në rritje për viktimat e tragjedisë në Siri, me Programin Botëror të Ushqimit (WFP) që po u bën presion autoriteteve në veriperëndim të ndalojnë së bllokuari qasjen në zonë teksa kërkon të ndihmojë qindra mijëra persona të shkatërruar nga tërmetet.
Dymbëdhjetë ditë pas goditjes, punëtorë nga Kirgistani tentuan të shpëtojnë një familje pesë anëtarëshe siriane nga rrënojat e një ndërtese në qytetin Antakya në Turqi.
Tre persona, përfshirë edhe një fëmijë, u nxorën të gjallë. Nëna dhe babai mbijetuan por fëmija vdiq më vonë nga dehidrimi, tha ekipi i shpëtimit. Motra më e madhe dhe një binjak nuk ia dolën.
Sipas Reuters-it, shifra e të vdekurve në Turqi ka shkuar në 40,642 ndërsa në Siri raportohet të jenë mbi 5800 viktima, shifër kjo që s’ka lëvizur tash e sa ditë.