Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga vërshimet që e goditën Teksasin e Shteteve të Bashkuara të premten tani ka shkuar në mbi 100, ndërsa një numër i panjohur i njerëzve të tjerë janë ende të zhdukur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po e vazhdojnë punën buzë shtretërve të lumenjve, por meteorologët parashohin reshje dhe stuhi të reja në rajon. Shpresa po venitet për të gjetur më shumë të mbijetuar katër ditë pas katastrofës, raporton televizioni BBC.
Kampi Mistik, kamp veror për vajzat e krishtera, ka konfirmuar se të paktën 27 vajza dhe pjesëtarë të stafit janë në mesin e të vdekurve. Dhjetë vajza dhe një këshilltar i kampit janë ende të zhdukur.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i ka mohuar pretendimet se zvogëlimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit mund ta kenë penguar reagimin ndaj fatkeqësisë.
Të paktën 84 nga viktimat – 56 të rritur e 28 fëmijë – vdiqën në distriktin Kerr, ku niveli i ujit në Lumin Guadalupe u rrit nga reshjet para agimit të së premtes.
22 të rritur dhe 10 fëmijë nuk janë identifikuar ende, sipas zyrës së policisë lokale.