Nga: Besa Ismaili
Sipas një studimi të fundit të UNICEF, 69% të fëmijëve kanë përjetuar dhunë në shkollat e Kosovës. Përkthyer në terma të tjerë, i bie që në një klasë prej 35 nxënës, 25 prej tyre kanë përjetuar dhunë në shkollë,(25 nga 35), apo nëse jeni prindër dhe i keni tre fëmijë në shkollë, dy prej tyre kanë përjetuar dhunë në shkollë, (2 nga 3)!!!
Dhuna është shqetësim për të drejtat e njeriut dhe nuk emancipohemi si shoqëri po që se mendojmë ndryshe. Dhuna në shkolla duhet të alarmojë institucionet dhe shoqërinë tonë për veprime dhe intervenime të menjëhershme, serioze dhe vazhdueshme.
Niveli i lartë i agresivitetit, dhuna, bulizimi, ngacmimet seksuale, mjetet e forta, duhani dhe substancat tjera narkotike janë terren ku është i pamundësuar rezultati i mirë i mësimnxënies apo edukimi i shëndoshë i gjeneratave. Ndërsa mosveprimi institucional dhe social ndaj dhunës në shkolla, përbën normalizim të dhunës, respektivisht vrasje dhe vetvrasje të fëmijëve, dhe të ardhmes së shoqërisë sonë. Dhuna në shkolla përbën një shqëtësim të shëndetit publik, poashtu. Aq më tepër, që këto vitet e pandemisë kanë keqndikuar në shëndetin fizik dhe mental të fëmijëve.
Mësimi online, përveç rezultateve të ulta në mësimnxënie, është shëndruar në një tjetër terren dhune psikologjike shkaku i bulizmit kibernetik të pa adresuar nga institucionet përgjegjëse të arsimit.
E drejta e fëmijëve për t’u rritur dhe zhvilluar në mjedise të sigurta, pa dhunë, është domosdosmëri dhe parakusht për zhvillimin e shoqërisë tonë.