Shkolla si terren i betejës për historinë
KUR NXËNËSVE U LIGJËRON GJYKATA SPECIALE, HISTORIA E ÇLIRIMIT VIHET NË BANKËN E TË AKUZUARËVE
———————————————————————– “Nëse nuk ua mëson fëmijëve historinë tënde, dikush tjetër do t’ua mësojë versionin e vet.Një popull që nuk ua mëson fëmijëve të vërtetën për lirinë, i përgatit ata ta pranojnë robërinë si normalitet
———————————————————————-
Nga Ragip Gjoshi
(punëtor i arsimit dhe edukimit me mbi pesë dekada përvojë)
Arsimi në Kosovë nën trysninë e revizionizmit historik
Kosova është i vetmi vend i dalë nga lufta çlirimtare ku fëmijët e shkollës mësojnë shumë pak për vetë çlirimin. Ky nuk është paradoks. Është politikë. Dhe tani kjo politikë ka kaluar një vijë të kuqe: hyrjen e Gjykatës Speciale në shkollat e mesme.Kur një gjykatë që merret ekskluzivisht me ish-pjesëtarë të UÇK-së mban ligjërata para nxënësve, problemi nuk është formal. Problemi është thelbësor: çfarë po u mësohet fëmijëve tanë dhe nga kush?
Arsimi nuk është proces neutral. Ai është gjithmonë akt politik, moral dhe qytetërues. Përmes shkollës, shteti përcakton se çfarë kujtese do të trashëgojë brezi i ri dhe mbi cilat vlera do të ndërtohet e ardhmja. Pikërisht për këtë arsye, ajo që po ndodh sot në sistemin arsimor të Kosovës – 27 vjet pas çlirimit, duhet të quhet me emrin e vërtetë: dështim institucional me pasoja historike.
Pra,kur shteti (Ministria e arsimit) e shkolla hesht për gjithë krojatat gjithëpopullore të çlirimit të vendit ndër shekuj, të tjerët tentojnë ta rishkruajnë historinë.Mungesa e një trajtimi serioz, të plotë dhe dinjitoz të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të UÇK-së në kurrikulën shkollore nuk është më thjesht lëshim profesional. Është zgjedhje politike. Dhe çdo zgjedhje politike në arsim prodhon pasoja afatgjata në vetëdijen kolektive.
Kurrikulë pa bosht të mjaftueshëm të moralit kombëtar
Nxënësit në Kosovë mësojnë për shumë ngjarje botërore – gjë e domosdoshme, por mbesin të paarsimuar thellë për historinë e tyre të afërt:për okupimin serb, për aparteidin politik e arsimor, për spastrimin etnik, për masakrat, për të zhdukurit, për dhunën sistematike shtetërore dhe për domosdoshmërinë historike të rezistencës së armatosur.
UÇK-ja nuk u shfaq si projekt ideologjik, por si reagim ndaj dhunës, si formë vetëmbrojtjeje kolektive dhe si shprehje e së drejtës për liri. Kjo është e vërtetë historike, juridike dhe politike, e konfirmuar edhe nga ndërhyrja e NATO-s dhe raportet ndërkombëtare të kohës.
Mosprania e këtyre fakteve në kurrikulë nuk është objektivitet shkencor – është zbrazëti e rrezikshme.Kurrikula që hesht e që lejon prej 27 vjetësh,të mos e e trajton seriozisht: okupimin serb, spastrimin etnik, masakrat,të zhdukurit, aparteidin politik e arsimor,dhe domosdoshmërinë e luftës çlirimtare,mund të vlerësohet si jo e plotë dhe pamjaftushëm e përditësuar.UÇK-ja përmendet sipërfaqësisht, pa kontekst, pa shpjegim historik, pa dimension moral. Kjo heshtje e organizuar krijon terren për relativizim. Dhe kur relativizimi bëhet normë, revizionizmi bëhet i pranueshëm.
Gjykata Speciale në shkolla: alarm pedagogjik dhe politik
Ngjarja e fundit, ku zyrtarë të Gjykatës Speciale mbajnë ligjërata në shkolla të mesme, përbën një precedent serioz dhe të papranueshëm pedagogjikisht.Nxënësit nuk janë publik juridik, por qenie në formim identitar. Prezantimi i një gjykate që:merret vetëm me një palë të luftës,që nuk adreson krimet shtetërore serbe,dhe mbështetet në dosje të ndërtuara mbi narrativën e Millosheviqit,nuk mund të quhet edukim neutral. Kjo është ndërhyrje në vetëdijen historike të brezit të ri, në emër të një drejtësie të shkëputur nga konteksti.Kur një institucion i tillë futet në shkolla, nuk po edukon për ligjin – po formëson narrativën.
Gjykata Speciale nuk është institucion edukativ.Madje,Gjykata Speciale nuk është as akademi, as institut historie, as institucion pedagogjik. Ajo është gjykatë e panjohur në historinë e drejtësisë,e krijuar mbi:raportin e Dick Marty-t, dosje të ndërtuara nga aparati serb,dhe një mandat që përjashton krimet shtetërore të Serbisë.Ta paraqesësh këtë gjykatë para nxënësve si burim “informimi” është manipulim i kontekstit. Nxënësit nuk kanë kapacitet kritik për të ndarë propagandën juridike nga e vërteta historike. Ata marrin mesazhin ashtu siç u servohet.Dhe mesazhi është i qartë:
UÇK-ja si problem.
Lufta çlirimtare si dyshim.
Agresioni serb si sfond i mjegullt.
Përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget
Përgjegjësia për ngjarjen që po trajtoj bie drejtpërdrejt mbi drejtuesit e institucioneve shkollore që lejojnë aktivitete pa filtër profesional e administrativPërgjegjësia ka emër.Nuk mund të fshihemi pas procedurave.Përgjegjësi mbajnë:drejtori i shkollës që e ka lejuar ligjëratën,Drejtoria Komunale e Arsimit që ka heshtur,dhe Ministria e Arsimit që nuk ka politika mbrojtëse,dhe elita akademike që zgjedh komoditetin e heshtjes. MASHT ka dështuar të hartojë politika të qarta për mbrojtjen e shkollës nga ndërhyrjet ideologjike.
Barazimi moral i agresorit me viktimën, relativizimi i luftës çlirimtare dhe heshtja për krimet serbe përbëjnë qasje antinjerëzore, sepse mohojnë vuajtjen, dhe antikombëtare, sepse godasin themelet e shtetit të Kosovës.Kjo nuk është drejtësi tranzicionale. Kjo është revizionizëm historik.
Në arsim, heshtja është pozicion.
Dhe ky pozicion është i gabuar.
Në arsim, heshtja nuk është neutralitet.
Heshtja është bashkëpërgjegjësi.
Kjo nuk është drejtësi – është politikë.
Barazimi moral i agresorit me viktimën nuk është drejtësi.Heshtja për masakrat dhe fokusimi vetëm te UÇK-ja nuk është balancë.Është politikë e rishkrimit të historisë.
Prandaj kjo qasje është:antinjerëzore, sepse mohon vuajtjen e viktimave, antikombëtare, sepse delegjitimon luftën mbi të cilën u ndërtua shteti.Një shtet që lejon këtë në shkolla po punon kundër vetvetes.
Historia nuk gjykohet nëpër ligjërata
Gjykatat gjykojnë individë. Historia gjykon popuj.Historia gjykon procese, kontekste dhe popuj.Nëse lejojmë që fëmijëve tanë t’u ofrohet një histori e cunguar, e zhveshur nga konteksti dhe nga e vërteta e luftës çlirimtare, atëherë po ua dorëzojmë të ardhmen atyre që nuk e deshën kurrë këtë shtet.
Arsimi duhet të jetë mbrojtës i së vërtetës, jo terren eksperimentesh politike.Sepse një komb që heq dorë nga e vërteta e vet historike, rrezikon të humbasë jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen.
Nëse sot lejojmë që fëmijëve t’u ligjërohet një histori e cunguar, nesër do të kemi qytetarë që:dyshojnë në çlirimin, relativizojnë krimin, dhe pranojnë padrejtësinë si “normalitet juridik”.Kjo është arsyeja pse reagimi qytetar dhe institucional është i domosdoshëm.
Jo kundër drejtësisë.
Por kundër manipulimit të saj.
Përfundim
Nëse ne lejojmë që fëmijëve tanë t’u serviret një narrativë e zhveshur nga konteksti, nga e vërteta historike dhe nga dinjiteti i rezistencës, atëherë nuk kemi dështuar vetëm si shtet – kemi dështuar si shoqëri.
Arsimi duhet të formojë qytetarë kritikë, jo konsumatorë pasivë të narrativave të importuara.Dhe kujtesa historike nuk është luks ideologjik- është kusht i mbijetesës morale të një kombi.
Prishtinë,më 22 janar 2026






