Menaxheri i kombëtares së Kosovës Bajram Shala ka konfirmuar se tre lojtarët e ftuar, si Shkëlqim Vladi, Ismajl Beka dhe Leart Paqarada do të mungojnë në ndeshjet e tetorit, derisa Edon Zhegrova është në dyshime.
Vladi, Beka dhe Paqarada kanë pësuar lëndime secili në ndeshjet e fundit, prandaj nuk do të arrijnë të shërohen me kohë për këto takime.
Ndërkohë, Edon Zhegrova është lënduar pavarësisht që ishte titullar dhe zhvilloi një paraqitje ndaj Lens, ku brenda orëve në vijim do të mësohet nëse do të jetë i gatshëm.
“Para se t’ia nisim disa informacione rreth listës që nuk do të jenë të pranishëm shkaku i lëndimeve. Besoj e keni parë të gjithë se ka pësuar lëndim Ismajl Beka kurse përveç tij lëndime kanë pësuar edhe Leart Paqarada, Shkëlqim Vladi dhe jemi në pritje të përgjigjes së Edon Zhegrovës që gjithashtu ka pasur një lëndim dje dhe sonte është duke kryer testimet”.
“Ndërsa, me ftesën e selektorit do të na bashkohet Mërgim Vojvoda, kështu që kemi aktualisht tre lojtarë që ishin pjesë të listës dhe do të mungojnë”.
Ndër të tjera, Shala gjithashtu theksoi se është shumë e vështirë që të zhvillohet ndeshja ndaj Izraelit këtë javë.
“S’kemi marrë përgjigje zyrtare. Duhet të jemi realist duke parë që edhe UEFA e shtyu ndeshjen Izrael – Zvicër, prandaj është shumë e vështirë të mos themi e pamundur që të zhvillohet takimi Kosovë – Izrael. Por presim në përgjigjen definitive të UEFA-s”, deklaroi ai në konferencë për shtyp.