Gjatë qëndrimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Richard Grenell, Emisari për Misione të Veçanta i Presidentit Amerikan Donald Trump, ka zhvilluar një takim me Shkëlqim Devollin, aksionarin e Devolli Corporation.
Ata u përqendruan në disa çështje me rëndësi strategjike. Në qendër të bisedimeve ishin mundësitë për të nxitur rritjen ekonomike në Kosovë përmes investimeve të huaja, bashkëpunimit tregtar dhe iniciativave që forcojnë sektorin privat.
Sipërmarrësi Devolli ndau vizionin e Devolli Corporation për zgjerimin e aktiviteteve të saj dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të favorshëm për bizneset, si dhe nevojën për mbështetje ndërkombëtare për të përshpejtuar rritjen e sektorëve strategjikë për vendin.
Nga ana e tij, emisari Grenell rikonfirmoi angazhimin e administratës Trump 2 për të mbështetur Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Ai theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon përmes bashkëpunimit ekonomik dhe dialogut politik. Grenell theksoi rolin e rëndësishëm të sektorit privat në Kosovë, duke e konsideruar atë si një motor kryesor për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Palët ranë dakord të vazhdojnë dialogun dhe të eksplorojnë rrugë konkrete për të realizuar projekte të përbashkëta që do të sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonominë e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë.