Manchester City ka triumfuar me përmbysje ndaj Unitedit në kuadër të kryederbit të xhiros së 27-të në Premierligë.
“Qytetarët” dominuan nga fillimi, por që fitoren e siguruan në pjesën e dytë me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 3:1.
Man United kaloi në epërsi pas vetëm tetë minutave me Marcus Rashford, që realizoi një eurogol nga distanca.
Pas kësaj, City kishte disa raste shënimi me Foden, Rodri dhe Erling Haaland, sidomos me këtë të fundit që dështoi të shënonte nga dy metra distancë, por larg finalizimit.
Megjithatë, kjo situatë ndryshoi në pjesën e dytë. Fillimisht, Foden ‘bombardoi’ portën e Onanas nga distanca për ta barazuar rezultatin (56’).
Ndërsa, i njëjti krijoi një bashkëpunim fantastik me Julian Alvarez për ta përmbysur epërsinë (80′).
Krejt në fund, fitoren e vulosi Erling Haaland duke përfituar nga një gabim në mbrojtje i Amrabat, ku ishte i pagabueshëm nga afërsia (90+1′).
Man City me këtë fitore renditet në pozitën e dytë në tabelë me 62 pikë, derisa Man Utd qëndron në vendin e gjashtë me 44 sosh.
Në përballjen e radhës, City do të përballet me liderin aktual Liverpool, sfidë kjo që do të ketë rëndësi të madhe në garën për titullin kampion.