Partia Demokratike e Kosovës pati dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Investime të Qëndrueshme.
Deputeti Ferat Shala bashkë me nëntë deputetë të tjerë patën dërguar në Kushtetuese Projektligjin në fjalë, ndërsa sot Kushtetuesja mori vendim në lidhje me këtë.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se kërkesa është e pranushme dhe se nenet 21, 35,52 dhe 53 të këtij projektligji nuk janë në kundërshtim dhe si i tillë Ligji për Investime të Qëndrueshme i dërgohet Presidentes së Kosovës për shpallje.
“Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, njëzëri, që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; dhe (iii) njëzëri, të shpallë që, në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje. Aktgjykimi fillimisht sqaron që Ligji i kontestuar, ndër tjerash, reflekton qëllimin e promovimit, përkrahjes dhe mbrojtjes së investimeve të qëndrueshme dhe eksporteve në Republikën e Kosovës, përfshirë përcaktimin e objektivave shtetërore dhe sektorëve prioritar për zhvillim. Sipas sqarimeve të dhëna, Ligji i kontestuar, ndër tjerash, përcakton (i) detyrimet e institucioneve, autoriteteve publike dhe investitorëve lidhur me investimet në Republikën e Kosovës, përfshirë të drejtat e investitorëve, dhe duke përfshirë por duke mos u kufizuar në të drejtën e investimit, barazinë para ligjit, respektimin e të drejtave, mbrojtjen nga shpronësimi, kompensimin përkatës dhe mjetet juridike; dhe (ii) procedurën për shpalljen e investimeve strategjike, përfshirë kriteret e nevojshme për këtë qëllim. Për më tepër, i njëjti themelon Këshillin e Investimeve, i cili, është përgjegjës për vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin, mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen ndërlidhur me projektet për investime strategjike, sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin e kontestuar. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, me hyrjen në fuqi të Ligjit të kontestuar (i) shfuqizohen dy ligje tjera, përkatësisht Ligji nr.04/L-220 për Investimet e Huaja dhe Ligji nr.05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës; ndërsa (ii) shuhet Agjencia për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës dhe themelohen dy agjenci të reja ekzekutive, përkatësisht Agjencia e Investimeve dhe Eksporteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencia për Inovacion dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.