28.2 C
New York
Tuesday, June 24, 2025

Buy now

Shkelën rregullat e qëndrimit, disa kosovarë ndalohen në aeroport në Gjermani

- Advertisement -

Të dielën (22 qershor 2025) policia kufitare në Aeroportin e Memmingenit të Gjermanisë ka evidentuar shtatë pasagjerë që “ishin vonuar” për udhëtimin e tyre për në Kosovë.

Bëhej fjalë për shtetas nga Kosova, të cilët kishin kaluar kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në Gjermani, shkruajnë mediat gjermane.

Sipas tyre, në krye të listës ishte një çift që kishte kaluar periudhën e lejuar prej 90 ditësh me më shumë se dy javë. Sipas policisë, ata qëndruan 15 ditë më gjatë në zonën Schengen.

Një tjetër burrë 30-vjeçar nga Kosova kishte qëndruar dy ditë më shumë se sa lejohej, ndërsa një grua 50-vjeçare kishte kaluar një ditë, shkruan www.allgaeuer-zeitung.de.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të daljes drejt Prishtinës në Kosovë, u paraqit një grua 24-vjeçare me dy fëmijët e saj, e cila kishte kaluar qëndrimin e lejuar për një ditë.

Policia kufitare nisi procedura penale kundër këtyre personave sipas ligjit për qëndrim. Pas kësaj, të gjithë personat u lejuan të niseshin në fluturimin e tyre, njoftoi policia.

Sipas rregullës së njohur si 90/180 ditë, konsiderohet periudha prej 180 ditësh në të cilën shtetasit e vendeve të treta lejohen të qëndrojnë maksimum 90 ditë në zonën Schengen. Në këtë llogaritje përfshihen si dita e hyrjes, ashtu edhe dita e daljes nga territori.

Në rast se kjo periudhë tejkalohet, policia flet për “qëndrime të paligjshme”.

Siç theksohet më tej, në Aeroportin e Memmingen-it policia kufitare zbulon raste të tilla pothuajse çdo ditë.

Madje, në mars të këtij viti, në një ditë, policia arrestoi tre pasagjerë fluturimi që kishin kaluar së bashku 800 ditë qëndrim të paligjshëm. Në krye ishte një grua nga Gjeorgjia, e cila kishte qëndruar 384 ditë pa leje.

Të ngjashme

Të fundit