Federata e Futbollit të Sllovenisë, përmes një njoftimit të lëshuar në llogari të rrjeteve sociale të saj si dhe në web-faqen zyrtare, ka bërë të ditur se të gjitha biletat për ndeshjen e 15 nëntorit, ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës janë shitur.
Sllovenia – Kosova, ndeshje e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit B kualifikues për Botërorin 2026 është mjaft e rëndësishme për të dyja kombëtaret.
Derisa Sllovenia kërkon fitoren e parë në grup dhe opsionin për t’iu afruar play-offit, Kosova kërkon të paktën një pikë për të siguruar pozitën e dytë në grup.
Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, barazoi 0:0 me Slloveninë në fillim të këtij muaji.
Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës, do të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Ljubjanës, ndërsa kapaciteti i stadiumit është rreth 16 mijë e 500 ulëse.
Mirëpo, federata sllovene ka bërë të ditur se të gjithë ata që kanë blerë bileta duhet të kenë sjellje sportive në tribuna si dhe hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm me simbolet e ekipit kombëtar të Sllovenisë (me përjashtim të sektorit të mysafirëve).
Në anën tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ende nuk ka bërë të ditur se kur do të dalin në shitje biletat për tifozët e Kosovës në këtë ndeshje dhe as sa do të jenë në dispozicion.