Gjatë intervalit nga ora 18:55 deri në 19:15, në mbrëmjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Klan Kosova ka shënuar shikueshmërinë më të lartë në vend, duke lënë pas konkurrentët me një diferencë masive.
Sipas të dhënave të shikueshmërisë, Klan Kosova ka qenë televizioni më i ndjekur në këtë interval kohor, duke siguruar vendin e parë me një audiencë dukshëm më të madhe krahasuar me rivalët.
Në vendin e dytë renditet televizioni T7, i cili gjithashtu ka tërhequr një numër të konsiderueshëm shikuesish, ndërsa vendin e tretë e mban televizioni Dukagjini.
Kujtojmë se në pasditen e 9 shkurtit, pak para mbylljes së qendrave të votimit, u publikuan tri exit poll-e në Klan Kosova, T7 dhe televizionin Dukagjini të realizuara në bashkëpunim me Pipos, Albanian Post dhe UBO Consulting respektivisht.
Televizionet e tjera me shikueshmëri relativisht të lartë përfshijnë RTV21, KTV dhe RTK1.
Po ashtu, ATV ka regjistruar një shikueshmëri të konsiderueshme, duke u pozicionuar në mesin e televizioneve më të ndjekura.

Një exit poll është një sondazh i kryer menjëherë pasi votuesit largohen nga qendrat e votimit, me qëllim parashikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe kuptimin e sjelljes së votuesve.
Kjo metodë ofron të dhëna të hershme mbi rezultatet e zgjedhjeve dhe ndriçon motivimet dhe karakteristikat e elektoratit.
Exit Poll në T7 i kryer nga Albanian Post e nxori Vetëvendosjen me 37%, PDK-në me 23%, LDK-në me 20% dhe AAK-Nisma me 8%.
Exit Poll-i i UBO Consulting i dhënë në Debat Plus e nxori VV-në me 40.3%, PDK-në me 21.4%, LDK-në me 19.3% dhe AAK-Nisma me 7.6%.
Exit Poll i Pipos i dhënë në Klan Kosova e dha VV-në me 38.2%, PDK-në me 22.4%, LDK-në me 20.1% dhe AAK-në me 7.6%.