Sipas një ankete të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Buxhetin e Ekonomive Familjare për vitin 2022, 78.5 për qind e familjeve në Kosovë kanë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve për strehim dhe banim. 40.7 për qind prej tyre e kanë barrë te rendë.
Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare që shfrytëzohet për ushqim dhe pijet joalkoolike është 4 mijë e 389 euro. Aty më tej thuhet se ushqimi dhe pijet joalkoolike përbëjnë komponentin bazë të konsumit të përgjithshëm me 55 për qind.
Ndonëse pse pjesë e krizës ekonomike ishin edhe vendet e tjera të rajonit, më së shumti e pësuan xhepat e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe një postim i ekspertit ekonomik Edison Jakurti në Facebook, i cili i krahasoi këto statistika me ato të vendeve të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Europian.
Jakurti ka vërejtur një ndryshim të madh në përqindje mes Kosovës dhe vendeve rajonit.
Në bazë të grafikonit të paraqitur nga z. Jakurti, i cili krahason shpenzimet me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, shpenzimet e larta për ushqim dhe pije joalkoolike Kosovë gjatë vitit 2022 rezultojnë shumë më të larta sesa vendet e tjera të rajonit.
Sipas tij, arsyeja kryesore e këtyre shifrave është inflacioni. Megjithatë, Jakurti ka argumentuar se një arsye për këtë dallim kaq të lartë krahasuar me vendet e tjera është mungesa e “politikave efektive”.
“Pse ky ndryshim kaq drastik? Arsyeja kryesore është inflacioni. Nëse e dekompozojmë këtë ndryshim, më shumë se gjysma e tij shpjegohet nga rritja enorme e çmimeve përgjatë vitit 2022. Por, shkallë të lartë të inflacionit kishte edhe në rajon, edhe në BE. Pse nuk ndodhi një ndryshim i tillë në këto vende? Arsyet mund të jenë të ndryshme por, ajo që dimë me siguri është se në Kosovë munguan politikat efektive për zbutjen e ndikimit negativ të inflacionit.” – ka shkruar Jakurti,
Në këtë kontekst ai insistuar në vendosjen e ‘çmimeve tavan’, një nismë e pushtetit cila së fundi u bllokua nga Gjykata Kushtetuese, nën argumentin e përgjithshëm se kjo përbën “ndërhyrje në ekonominë e tregut të lirë.
“Vendosja e çmimeve tavan nuk ishte politika e parë që do t’duhej të mendohej por, në kushtet e Kosovës, ishte ndër kryesoret që do të mund të ndikonte në zvogëlimin e keqpërdorimeve të brendshme. Ajo nuk u bë dhe tash mbetet të menaxhohen pasojat, një ndër të cilat mund të jetë edhe ky trendi i tmerrshëm i grabitjeve e plaçkitjeve.” – tha ai më tej.