Në maj, dy kongresiste amerikane qëndruan për vizitë në Kosovë dhe Serbi. Më 30 maj në Prishtinë, republikania Claudia Tenney dhe demokratja Chrissy Houlahan, u pritën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas turneut të tyre në dy shtetet ballkanike, të cilat kanë raporte të acaruara pasi që Serbia refuzon ta njeh pavarësinë e Kosovës, kongresistet e nisën një letër të fortë në adresë të presidentin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, transmeton Klankosova.tv.
Ato i thanë kryetarit të Amerikës, se një ujdi potenciale paqeje me njohje të ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës, do të mund të ishte katalizator për të krijuar një Ballkan Perëndimor, më shumë stabil e paqësor.
Kjo thirrje për presidentin amerikan, ishte temë diskutimi në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Analistja Magbule Shkodra thotë se çfarë pa si më të rëndësishme në këtë letër drejtuar Trumpit.
“Çka është e rëndësishme në këtë letër, është se ato të dyja kanë potencuar se mund të arrihet paqja, me një njohje reciproke”, u shpreh Shkodra.
Gazetari Ardian Gaxherri nga ana tjetër thotë se Kosovës i duhet lobim më i madh nga ShBA për të ngritur zërin rreth të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
Derisa gazetari Vullneti Krasniqi thotë se është interesante se si një republikane dhe një demokrate u bënë bashkë për çështjen e Kosovës.