Kryeministri i Kosovës, i pyetur për punësimet në Radio Televizionin e Kosovës, ku një mbështetës i partisë së Kurtit është zgjedhur drejtor, ka thënë se “mbase është kryeministri i parë në Kosovë që nuk ka asnjë të punësuar me mbiemër të tij në ndonjë ministri”.
Më këtë deklaratë të kryeministrit është tallur, Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi.
Në profilin e tij në “Facebook”, Sherifi ka shkruar se vendosja e standardeve të larta në hipokrizi vazhdon dhe se një zot e di se ku do të ndalen.
“Kryeministri Albin Kurti e paska reduktuar koxha shumë definicionin e nepotizmit! E paska sjellë në nivel vetëm të mbiemrit të tij. Kështu që nga sot kemi definicion të ri për nepotizmin, sipas të cilit, mbiemrat e hallave, tezeve, dajallarëve, të familjarëve të bashkëpartiakëve të tij, të deputetëve, të ministrave, të këshilltarëve etj etj, nuk konsiderohen nepotizëm!
Vendosja e standardeve të larta në hipokrizi vazhdon. Një zot e di se ku do të ndalen!”, ka shkruar Sherifi.