Autoritetet kolumbiane, duke punuar me dhjetëra shtete të tjera, kanë konfiskuar 225 tonë kokainë brenda gjashtë javëve, rekord global për një operacion të vetëm kundër lëndëve narkotike. Droga u gjet në një “narko-nëndetëse” që po lundronte nëpër një rrugë të re të trafikimit drejt Australisë.
Gjatë operacionit 6-javor “Orion”, agjencitë për sundimin e ligjit dhe organizata të tjera nga 62 shtete ndaluan gjashtë barka gjysmë të zhytura, të mbushura me kokainë, dhe konfiskuan gjithsej 1.400 tonë drogë gjithsej, përfshirë më shumë se një mijë ton marijuanë, raporton gazeta “The Guardian”.
Pengimi i 225 tonëve kokainë shënon një goditje domethënëse ndaj karteleve të Amerikës Latine, duke marrë parasysh që OKB-ja vlerëson se 2.700 tonë prodhohen globalisht në vit, ndërsa rekordi i Kolumbisë për konfiskimin më të madh vjetor ishte 671 tonë më 2022.
Më shumë se 400 persona janë arrestuar gjatë 45 ditëve. Gjatë operacionit janë ndërprerë edhe dërgesa të paligjshme armësh dhe janë kapur trafikues të emigrantëve. Në operacion ishin të përfshirë edhe disa agjenci nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Australia.
Forcat detare kolumbiane ia dhanë meritat për suksesin historik bashkëpunimit të pashembullt mes 62 shteteve dhe institucioneve si Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve, organizatë me seli në Britani që hulumton se si kartelet kolumbiane dhe meksikane trafikojnë drogë pa u vërejtur.