22.5 C
New York
Sunday, July 27, 2025

Buy now

Shëndeti dhe bujqësia në Kosovë nën presionin e të nxehtit të madh

- Advertisement -
Kosova po përballet me valë të nxehtësisë ekstreme. Kjo situatë po ndikon thellësisht në të gjitha sektorët – nga shëndetësia e deri tek bujqësia.

Kosova po përballet me një verë të jashtëzakonshme për shkak të temperaturave të larta, duke shkaktuar zjarre që përfshijnë fushat e korrura. Në dy javët e fundit, përveç apelimit për kujdes lidhur me zjarret, institucionet shëndetësore kanë publikuar edhe rekomandime për kujdesin e shëndetit.

Pasojat e nxehtësisë po vërehen kryesisht në dy drejtime tek qendrat emergjente dhe tek arat e fermerëve.

Drejtori i Qendrës Emergjente në Kosovë, Naser Syla, në një bisedë sqaron ndikimet e drejtpërdrejta që temperaturat e larta po kanë në shëndetin e qytetarëve.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në çdo organizëm, sidomos tek të moshuarit, fëmijët dhe ata me sëmundje kronike”, deklaron Syla.

Përveç kësaj, ai tregon se ka pasur një rritje të pacientëve në qendrën emergjente gjatë muajve qershor dhe korrik.

“Temperaturat e larta, natyrisht që ndikojnë. Ndikojnë negativisht në çdo organizëm – sidomos tek ata që kanë sëmundje kronike, tek të moshuarit dhe tek fëmijët. Prandaj, duhet që çdo person të ketë kujdes maksimal, të shmangë ekspozimin në orët më të nxehta të ditës, sidomos prej orës 10:00 deri në 17:00”.

Syla apeloi për kujdes dhe masa paraprake, si konsumimi i sasisë së bollshme të lëngjeve, sidomos ujit, dhe vazhdimi i terapisë për ata që marrin mjekim të rregullt.

“Personat që vuajnë nga sëmundje kronike duhet të marrin terapinë e tyre siç është e udhëzuar nga mjeku dhe, në të njëjtën kohë, të konsumojnë sasi të mëdha lëngjesh – posaçërisht ujë”.

Të gjithë qytetarët që kanë probleme shëndetësore për shkak të temperaturave të larta duhet të kërkojnë ndihmë të parë gjithmonë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Çdo pacient duhet të lajmërohet së pari në QKMF dhe të marrë trajtimin primar aty. Pastaj, nëse ka nevojë, do të orientohet për në Qendrën Emergjente”.

Zjarret shkatërrojnë pasurinë bujqësore

Përveç përkeqësimit të shëndetit, ndikimet klimatike nuk po e kursejnë as sektorin e bujqësisë.

Profesori dhe eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë për Albanian Post se ndryshimet ekstreme të temperaturave këtë vit kanë goditur rëndë kulturat bujqësore.

“Si rezultat i çrregullimeve klimatike, vitet e fundit kemi pasur ndryshime të mëdha temperaturale që dallojnë shumë nga mesatarja, sidomos këtë vit, ku kemi pasur temperatura jashtëzakonisht të larta dhe mungesë reshjesh”, thotë Rusinovci për AP.

Sipas tij, kushtet në bujqësi janë përkeqësuar edhe nga zjarret, të cilat në shumë raste janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria njerëzore përmes ndezjes së qëllimshme të hamujve (mbetjeve organike).

Situata është alarmante edhe për misrin, një tjetër kulturë kyçe që është prekur rëndë nga mungesa e reshjeve.

“Për dallim nga gruri, që tashmë është në fazën përfundimtare të korrjes, misri është shumë i varur nga reshjet gjatë korrikut – dhe këtë vit nuk kemi pasur as sasinë e nevojshme, as shpërndarjen e duhur të tyre”, shpjegon ai, duke theksuar se rendimenti do të jetë shumë më i ulët.

Zjarri përfshin tokat bujqësore në Kosovë

Rusinovci apelon që fermerët të ndalojnë ndezjen e hamujve dhe të përdorin metoda alternative për trajtimin e mbetjeve bujqësore.

“Është një praktikë e keqe që është krijuar në Kosovë – menjëherë pas korrjes, sidomos te gruri, fermerët i vënë flakën mbetjeve organike. Kjo nuk sjell asnjë përfitim, vetëm dëmton. Nëse digjet kashta, nuk mbetet asgjë për procesin e mineralizimit, azoti kalon në gjendje të gaztë dhe humbet, ndërsa fosfori dhe kaliumi djegin vlerën ushqyese të tokës”.

Ai rekomandon përmbysjen e mbetjeve dhe përdorimin e plehrave të pasura me azot për të harmonizuar raportin karbon-azot dhe për të ndihmuar rigjenerimin e tokës.

Ndërsa bën thirrje për veprim institucional.

“Kosova duhet njëherë e mirë të vendosë mekanizma ekzekutivë që jo vetëm të ndalojnë zjarrvëniet e qëllimshme, por të vënë në funksion edhe gjobat për shkelësit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmjën e së shtunës ka bërë thirrje për një reagim të menjëhershëm dhe të koordinuar nga të gjitha nivelet institucionale lidhur me situatën e zjarreve, duke shprehur solidaritet me qytetarët e prekur dhe falënderim për të gjithë ata që janë në vijën e parë të përballjes me flakët.

Të shtunën, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.

“Situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjenciësë, rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit”, thuhej në njoftimin e Agjencisë.

17 prej këtyre zjarreve ishin lokalizuar, ndërsa 12 mbeten ende aktive.

AME gjatë kësaj jave po ashtu njoftoi për dy vdekje si pasojë e zjarreve dhe temperaturave të larta në vend. Ky institucion u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.

Të ngjashme

Të fundit