Operacioni antidrogë i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i koduar si “Qielli i Thyer” që kishte cak një grup kriminal, të dyshuar për trafikim me narkotikë, rezultoi me arrestimin e 22 personave pas bastisjeve që u realizuan në 47 lokacione.
Siç mëson Klankosova.tv., njëri nga të arrestuarit në rajonin e Prishtinës është Shemsi Bahtiri nga Prishtina, i cili ishte objekt hetimi, nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale.
Bazuar në të njëjtat burime, Bahtiri dyshohet për “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” , Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe për Shpëlarje të parave.
Të gjithë personat e arrestuar dyshohet se veprat penale i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.
Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.
Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit./Klankosova.tv
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.