21.9 C
New York
Friday, August 22, 2025

Buy now

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë: Urgjente krijimi i institucioneve

- Advertisement -
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka theksuar rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve pas aktgjykimit të ri të Gjykatës Kushtetuese rreth seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka thënë se vonesat kanë pasoja direkte për funksionimin demokratik dhe ligjor të vendit.

“Na mungon konstituimi i Kuvendit dhe partitë politike e dinë mirë çfarë duhet të bëjnë-formim sa më të shpejtë të institucioneve. Ky mesazh i është bërë në vazhdimësi nga përfaqësuesit ndërkombëtar, por edhe nga shoqëria civile. Mendoj se kjo është vitale. Komentet e presidentes sa i përket urgjencës janë të drejta dhe janë me kohë, prandaj e mbështesë thirrjen e saj për një qasje urgjente në bazë të kompromisit për ta konstituuar Kuvendin”, tha McGurk në një intervistë në RTK Prime.

Ai theksoi se mungesa e institucioneve pengon llogaridhënien, shqyrtimin e ligjeve dhe vendimet për emërimet në institucionet e pavarura, teksa rikujtoi se pikërisht kjo situatë ka ndikuar edhe në financimin e RTK-së, duke vënë në rrezik pavarësinë e transmetuesit publik.

Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rast se institucionet e reja nuk krijohen, McGurk dhe mundësinë që brenda një periudhe të shkurtë të mbahen dy palë zgjedhje (lokale dhe të përgjithshme), ai tha se edhe ky është një opsion demokratik, por kërkoi që liderët e partive të reflektojnë.

“OSBE është këtu për të ofruar mbështetje kudo që mundemi. Mbajtja e dy palë zgjedhjeve e vendos në presion shumë të madh KQZ-në dhe komunat, por nëse nuk ka ndonjë marrëveshje ndërmjet partive politike, atëherë opsion tjetër demokratik është që të shkojmë në zgjedhje. Por, u takon partive politike dhe liderëve të tyre të reflektojnë masën se a do të ishte mirë për Kosovën që të kishim dy palë zgjedhje në të njëjtën kohë. Ju takon atyre që të vendosin”, tha shefi i OSBE-së.

Ai ka thënë se Kosova ka një historik shumë të mirë menaxhimit të zgjedhjeve nga KQZ, derisa vuri në pah rëndësinë që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të ketë gjithëpërfshirje.

“KQZ e ka meritën më të madhe për këtë. Ata e kanë një punë mjaft të vështirë për të gjetur konsensusin sa i përket përmirësimit të zgjedhjeve. Është me rëndësi që në tetor të kemi zgjedhje gjithëpërfshirëse ku të gjitha komunitetet në Kosovë të përfaqësohen dhe të kenë zërin e tyre. Mendoj se kjo e fuqizon besueshmërinë demokratike të Kosovës por përforcon edhe përmirësimet edhe në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe kjo është diçka që e kemi parë në zgjedhje te kaluara”, nënvizoi McGurk.

Duke folur për rolin e OSBE-së në procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore në Kosovë, ai theksoi se organizata që drejton ka pasur në vazhdimësi një marrëdhënie unike me zgjedhjet në Kosovë.

“Kemi qenë prej fillimit aty dhe kemi punuar krahë për krah  me partitë politike dhe palët në interes dhe KQZ-në. Tani në katër apo pesë vitet e fundit kemi pasur KQZ-në që i ka udhëhequr vet zgjedhjet me mbështetje të vogël të OSBE-së dhe kjo është një shenjë shumë pozitive. Tani jemi të përfshirë në mbështetje teknike dhe këshillëdhënëse për KQZ-në sa i përket trajnimeve, manualeve dhe praktikave më të mira”, tha ai dhe shtoi se OSBE do të ndihmojë sa i përket përfshirjes së të rinjve dhe grave në përfaqësimin politik dhe përfshirjen në jetën shoqërore.

Shefi i Misionit të OSBE-së ka folur edhe për rëndësinë që ka Radiotelevizioni i Kosovës si transmetues publik, teksa theksoi se pa një zgjidhje të qëndrueshme financiare rrezikohet funksionimi dhe besueshmëria e tij.

“Është pozitive që është gjetur një zgjedhje buxhetore për RTK-në nga qeveria dhe që do të finalizohet në ditët e ardhshme. Gjithashtu ne kemi biseduar për një formë të qëndrueshme të financimit dhe kjo mund të ndodhë sapo të kemi një Kuvend funksional. Duke e pasur këtë buxhet çdo muaj apo çdo gjashtë muaj nuk na çon në thelbin e problemit, e që është një model i qëndrueshëm i financimit që ia mundëson RTK-së të jetë një transmetues i pavarur publik”, tha ai.

Sipas McGurk ka shumë modele që mund të shoshiten, e që përfshijnë reklamimin, tarifat e licencimit apo ndonjë zgjidhje të përzier.

“Ky është një diskutim që duhet të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur sepse transmetuesi publik e ka një rol thelbësor për të ofruar informim të pavarur dhe të paanshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë. Kjo paqëndrueshmëri financiare nuk na mundëson që të kemi kredibilitet të institucionit dhe nuk na mundëson planifikim dhe menaxhim adekuat të resurseve. Kjo është një platformë e fuqishme që mund ta informojmë publikun dhe e kemi për mandat që ta bëjmë këtë. Rëndësia që ka transmetuesi publik, kur bëhet fjalë për zgjedhjet, është vitale. Pra, sapo të kemi një kuvend funksional OSBE do të jetë aty për të punuar me Kuvendin dhe RTK-në për të gjetur mënyra se si të kemi një model që është i qëndrueshëm dhe që do të mundësojë një RTK të pavarur dhe të paanshme për të ofruar shërbime të rëndësishme, ashtu siç e ka bërë prej formimit të saj në vitin 1999”, përfundoi McGurk.

Të ngjashme

Të fundit