Shefi i CIA-s, Bill Burns, tha të shtunën se shpresonte të kishte një propozim “më të detajuar” lidhur me pengjet izraelite dhe armëpushimin në Gaza.
Ai theksoi se suksesi i kësaj varet nga vullneti politik i Izraelit dhe Hamasit, raporton CNN.
Duke folur për negociatat në vazhdim për të siguruar një marrëveshje armëpushimi dhe për pengjet në Gaza, Burns tha se ShBA-ja po punonte shumë fort me ndërmjetësit rajonalë për të bërë që Izraeli dhe grupi militant Hamas të bien dakord për një plan paqeje.
Shefi i CIA-s, tha se ShBA-ja po punon me ndërmjetësuesit në Egjipt dhe Katar për të rafinuar një kornizë të propozuar nga Biden në maj dhe “ta vendosë atë në një formë, një propozim mjaft të mirë” që të dy udhëheqjet izraelite dhe të Hamasit të shohin vlerën e lëvizjes përpara me të.
Burns theksoi se në përvojën e tij me negociatat në Lindjen e Mesme, “perfekti nuk është kurrë në menu”, duke shtuar se ai nuk mund të thoshte me siguri se “ne do të kemi sukses në këtë”, as sa afër mund të jenë ShBA-ja dhe ndërmjetësit me një marrëveshje tani.
Kreu i CIA-s, këto i tha gjatë një takimi me shefin e Shërbimit të Inteligjencës së huaj të Mbretërisë së Bashkuar e njohur si M16, Richard Moore.