Në Bosnje dhe Hercegovinë situata e sigurisë mbetet e brishtë.
Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka kërcënuar sërish se do ta shpallë shkëputjen e entitetit nga Bosnja.
E retorika separatiste e politikanit serb, ka nxitur reagime në mesin e komunitetit ndërkombëtar.
Nga blloku evropian e kanë ritheksuar se e mbështesin fuqishëm unitetin, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnje e Hercegovinës.
Se situata e sigurisë është shqetësuese në Bosnje Hercegovinë e thotë edhe ish-Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jamie Shea.
“Po, konsideroj që situata e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë është shqetësuese. Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka një kohë që bënë shumë zhurmë. Ai provokon vazhdimisht me retoriken e tij nacionaliste dhe kërkon shkëputjen e entitetit “Republika Sërpska” nga Bosnja dhe Hercegovina. Ata sërish festuan më 9 janar, ditën kombëtare, që realisht është një festë antikushtetuese. Atë ditë pame edhe një paradë ushtarake me paramilitare dhe ushtarë të armatosur rëndë. Përse duhet të ketë shfaqje të tilla, për kë përbën shqetësim Bosnja? Në festën e tyre prezent ishte edhe ambasadori rus, pra siç mund ta shihni ishte një provokim i pastër”, thotë Shea për Tëvë 1.
Megjithatë Shea thotë se Dodik nuk mund ta sfidojë Perëndimin.
Sipas ekspertit ushtarak, Jamie Shea, avionët luftarakë F-16 të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, që fluturuan mbi Bosnjë e Hercegovinë, ishin një mesazh i qartë për liderin e serbëve ne Bosnje.
“Por, e patë një ditë më vonë kundërpërgjigjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i ngritur ne qiell avionët luftarak F-16. Kur i ka pa këto lëvizje, Milorad Dodik, u zmbraps direkt dhe e zbuti fjalorin duke e mohuar se e ka në plan të shkëputjen nga Bosnja. Ai mund të shkoj vetëm deri në atë pikë ku mund ta ballafaqohet me rezistencë siç ndodhi në këtë rast. Ai e di mirë forcën e Perëndimit dhe se me çfarë pasoja mund të ballafaqohet nëse e minon marrëveshjen e Dejtonit. Britania e Bashkuar së bashku më aleatët e saj mbetet e përkushtuar për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj Milorad Dodikut që më 17 korrik të vitit 2017 për pengim të zbatimit Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.