Qeveria amerikane njoftoi sot një raund të ri sanksionesh kundër individëve, kompanive dhe anijeve të akuzuara për anashkalimin e sanksioneve ndaj naftës iraniane, si pjesë e politikës së saj të presionit maksimal ndaj burimeve të Teheranit.
Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit i SHBA-së thanë në deklarata të veçanta se synonin 22 individë ose kompani dhe 13 cisterna nafte.
”Ky rrjet lejon që nafta iraniane të transportohet ilegalisht te blerësit në Azi”, sipas DASH-it.
”Ka mundësuar dërgimin e dhjetëra milionë fuçi naftë bruto me vlerë qindra milionë dollarë”, theksoi ai.
DASH-i shpjegoi se këto veprime janë pjesë e politikës së presionit maksimal të presidentit Donald Trump ndaj regjimit iranian, për të zeruar të ardhurat nga nafta “të cilat përdoren për të financuar aktivitetet terroriste”.
Ashtu si Rusia, Irani mbështetet në një rrjet cisternash nafte për të anashkaluar sanksionet perëndimore dhe për të vazhduar shitjen e naftës së tij, e cila siguron një burim jetik të të ardhurave.
”Në mesin e atyre që u sanksionuan sot ishin CEO i kompanisë kombëtare të naftës të Iranit, Hamid Bovard, si dhe ndërmjetës me qendër në EBA dhe Hong Kong dhe kompani që merrnin me qira anije nga India dhe Malajzia”, tha Departamenti i Thesarit.
Në fillim të shkurtit, Uashingtoni njoftoi sanksione financiare kundër një “rrjeti ndërkombëtar” të akuzuar për dërgimin e naftës iraniane në Kinë për të financuar aktivitetet ushtarake të Teheranit.
Sanksionet rezultojnë në ngrirjen e aseteve të mbajtura drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kompanitë e synuara në Shtetet e Bashkuara si dhe ndalimin e kompanive me bazë në Shtetet e Bashkuara ose shtetasve amerikanë nga tregtia me këto objektiva të sanksioneve, me rrezikun e sanksionimit nga ana e tyre.